Debati për përbërjen e Bordit të Radio Televizionit të Kosovës (RTK) ka eskaluar në përplasje personale mes deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, në replikën e tij gjatë diskutimit ka vënë në pikëpyetje shkollimin dhe përgatitjen profesionale të deputetit të Vetëvendosjes, Alban Bajrami.
“Cili është shkollimi i tij, cila është përgatitja profesionale, cili është edukimi i tij në kuptimin institucional derisa ka ardhur deputet?”, ka deklaruar Zemaj.
Ndaj këtyre komenteve ka reaguar Bajrami, i cili mori fjalën në Kuvend.
“Nuk ke të drejtë të ofendosh. Sa i përket punës sime në institucione, unë jam zgjedhur deputet kur i kam pasur 27 vjet. Edhe në kohën tuaj, po të kishe pasur kartelë të Vetëvendosjes, rojtar s’të kishin lënë te dera”, është shprehur Bajrami.
Pas kësaj përplasjeje ka ndërhyrë kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, e cila ia ka ndërprerë fjalën deputetit Bajrami, duke shprehur pakënaqësi për zhvendosjen e debatit në çështje personale.
“Çuditem si hyni në debate të panevojshme, sinqerisht, s’kam koment”, ka thënë Haxhiu.
Burimi: Insajderi





