Largimi i Lionel Messit nga kombëtarja dhe çmimet e larta të biletave kanë bërë që stadiumi legjendar La Bombonera në Buenos Aires të ketë shumë ulëse të zbrazëta gjatë ndeshjes miqësore mes Argjentinës dhe Uruguait.

Argjentina u mposht 2:1 nga Uruguai, në një takim që u zhvillua në stadiumin me kapacitet prej rreth 55 mijë vendesh. Por, ajo që tërhoqi më shumë vëmendje nuk ishte rezultati, por tribunat e zbrazëta.
Spektakël në fushë, atmosferë e zbehtë në tribuna
Në vend të atmosferës së zjarrtë që zakonisht karakterizon ndeshjet e Argjentinës, kësaj radhe shumë pjesë të stadiumit mbetën të zbrazëta. Madje, disa sektorë të tribunave nuk u hapën fare për tifozët.
Pamjet nga Buenos Airesi u shpërndanë me shpejtësi në rrjetet sociale.
Mediumi spanjoll ‘AS’ e përshkroi situatën si një kontrast të madh mes rëndësisë së ndeshjes dhe interesimit të tifozëve.
Biletat deri në 170 euro, tifozët të pakënaqur
Sipas raportimit, një nga arsyet kryesore të interesimit të ulët ishin çmimet e larta të biletave, të vendosura nga Federata Argjentinase e Futbollit (AFA).
Çmimet varionin nga 55 deri në 170 euro, ndërsa sektori më i lirë i stadiumit nuk u hap fare.
Për më tepër, biletat mund të siguroheshin vetëm fizikisht dhe duhej të merreshin deri një ditë para ndeshjes, në stadiumin Huracan.
Këto kushte shkaktuan pakënaqësi te tifozët argjentinas.
Një tjetër faktor ishte mungesa e Lionel Messit, largimi i të cilit nga kombëtarja shënoi një ndryshim të madh për përfaqësuesen argjentinase.
Tifozët tashmë presin një yll të ri që do t’i motivojë të rikthehen në stadiume dhe të mbushin sërish tribunat.
Burimi: Insajderi




