Antonio Conte ka kritikuar ashpër Manchester Unitedin pas vendimit të klubit anglez për të emëruar Mauricio Pochettinon trajner të ri të përhershëm, duke lënë të kuptohet se drejtuesit e “Djajve të Kuq” kanë frikë nga kërkesat dhe metodat e tij të punës.

Trajneri italian ishte përmendur si njëri prej kandidatëve kryesorë për ta marrë drejtimin e skuadrës nga “Old Trafford”, pas largimit të Michael Carrick, por drejtuesit e klubit në fund vendosën t’ia besojnë projektin argjentinasit Pochettino.
I njohur për disiplinën e rreptë dhe seancat stërvitore me intensitet të lartë, Conte ka fituar pesë tituj të Serie A dhe një titull të Premierligës me Chelsean.
Duke folur për podcastin “Cronache di Spogliatoio”, italiani tha se nuk e kupton se si një klub me historinë e Manchester Unitedit mund të hezitojë të angazhojë një trajner që synon ta rikthejë atë në majat e futbollit.
“Nëse dikush ka frikë nga metodat e mia, atëherë ka frikë të fitojë, sepse kjo metodologji të çon drejt fitores. Kjo është përgjigjja ime”, deklaroi Conte.
Ai shtoi se disa nga deklaratat për metodat e tij i konsideron fyese për historinë e Manchester Unitedit, duke theksuar se puna e madhe dhe përkushtimi janë të domosdoshme për arritjen e rezultateve të mëdha.
Conte shfrytëzoi rastin edhe për të shprehur admirimin e tij për legjendën e klubit anglez, Sir Alex Ferguson, për të cilin tha se ka respekt të jashtëzakonshëm.
Italiani tregoi se kishte pasur rastin ta vizitonte Fergusonin në shtëpinë e tij në Londër dhe të kalonte një ditë me të, duke vlerësuar pasionin e tij për futbollin.
Ndërkohë, Pochettinon e pret një fillim i vështirë në stolin e Manchester Unitedit. Sfidën e parë argjentinasi do ta zhvillojë kundër Liverpoolit në “Anfield”, të dielën, ndërsa të mërkurën skuadra angleze do të përballet me Sporting CP në Portugali, në kuadër të Ligës së Kampionëve.
Pas katër ndeshjeve në fazën e ligës, Manchester Unitedi renditet në pozitën e 17-të me gjashtë pikë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali





