​”Noa” sfidon shtetin e Kosovës, nuk i jep qasje as në kontratat e importit të rrymës -raporti po mbahet sekret

​”Noa” sfidon shtetin e Kosovës, nuk i jep qasje as në kontratat e importit të rrymës -raporti po mbahet sekret

​”Noa” sfidon shtetin e Kosovës, nuk i jep qasje as në kontratat e importit të rrymës -raporti po mbahet sekret

Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE), gjatë hetimeve për importin e energjisë elektrike në Kosovë, ka kërkuar nga kompania “Noa Energy Trade” qasje në kontratat përmes të cilave kishte realizuar importin e energjisë elektrike. Mirëpo, kjo kërkesë i është refuzuar nga kompania, pavarësisht se dy rregullore të vetë ZRrE-së i obligojnë subjektet nën hetim që të ofrojnë edhe informacione konfidenciale.

Sponsor 3M Express

Raporti i hetimeve për importin e energjisë elektrike në Kosovë nuk përmban të dhëna për vendet dhe prodhuesit prej nga “Noa Energy Trade” e ka furnizuar Kosovën me energji elektrike.

“Buletini Ekonomik” ka siguruar qasje të kufizuar në këtë raport, i cili, sipas këtij mediumi, po mbahet në sirtarët e ZRrE-së për gati një vit. Raporti, ndërkohë, ende nuk u është dërguar për komente palëve nën hetim, siç kërkohet me rregullore.

Sipas informacioneve të siguruara nga “Buletini Ekonomik”, gjatë procesit hetimor ZRrE-ja i kishte kërkuar “Noa Energy Trade” qasje në kontratat e importit të energjisë elektrike, por kompania nuk ia kishte mundësuar këtë.

Kjo, ndonëse dy rregullore të institucionit parashohin detyrimin e kompanive për të ofruar edhe të dhëna konfidenciale kur janë subjekt i hetimeve.

Përmes këtyre kontratave, ZRrE-ja synonte të kuptonte nëse “Noa Energy Trade” e kishte blerë energjinë elektrike në bursa apo drejtpërdrejt nga prodhuesit.

Një informacion i tillë konsiderohej i rëndësishëm edhe për analizimin e çmimit me të cilin kompania e kishte siguruar energjinë nga prodhuesit, në mënyrë që ky çmim të krahasohej më pas me atë të tregjeve të bursave.

Në raportin e hetimeve, si njëra ndër gjetjet është evidentuar pikërisht mosofrimi i qasjes në kontratat e importit nga “Noa Energy Trade”.

Përveç kësaj kompanie, pjesë e hetimeve ishte edhe KESCO, e cila është përgjegjëse për furnizimin me energji elektrike të të gjithë konsumatorëve në Kosovë. Angazhimi i “Noa Energy Trade” nga KESCO ishte bërë përmes një tenderi të hapur.

Çfarë parasheh legjislacioni për qasjen në kontrata?

Rregullativa ligjore në Kosovë parasheh dy mënyra për shitblerjen e energjisë elektrike. E para është përmes ankandeve, përkatësisht marrëveshjeve të drejtpërdrejta ndërmjet blerësve dhe shitësve të energjisë, ndërsa e dyta përmes blerjeve në bursa, e cila konsiderohet mënyrë më e sigurt për konsumatorët.

Në të njëjtën kohë, legjislacioni i jep ZRrE-së kompetenca të plota kontrolli ndaj kompanive të licencuara për tregtimin e energjisë elektrike. Këto kompetenca përfshijnë edhe qasjen në kontratat me prodhuesit e energjisë, veçanërisht kur zhvillohen hetime, si në rastin konkret.

Kjo e drejtë përcaktohet fillimisht në nenin 12 të Ligjit për Rregullatorin e Energjisë.

Sipas këtij neni:

“Rregullatori ka të drejtë të kërkojë nga secila ndërmarrje për energji apo autoritet publik çdo informatë, të dhënë dhe dokument, përfshirë llogaritë dhe të gjitha informatat tjera financiare dhe të kontabilitetit, përfshirë edhe informacionet konfidenciale, të nevojshme për përmbushjen e funksioneve dhe detyrave të saj, në pajtim me këtë ligj dhe ligjet tjera përkatëse”.

Përveç kësaj, Rregullorja për Masat Administrative dhe Gjobat e ZRrE-së parasheh edhe masa ndëshkuese për kompanitë që nuk bashkëpunojnë gjatë hetimeve.

Konkretisht, neni 9, paragrafi 1.3 i kësaj rregulloreje përcakton se ZRrE-ja mund të shqiptojë gjoba në rastet kur subjekti “nuk jep informata të kërkuara sipas nenit 12 të Ligjit për Rregullatorin e Energjisë”.

Ndërkaq, paragrafi 1.5 parasheh mundësinë e shqiptimit të gjobave edhe kur subjekti “nuk jep ndihmën e kërkuar”, sipas nenit 13 të Ligjit për Rregullatorin e Energjisë.

Kompetenca e ZRrE-së për të pasur qasje në dokumentacionin e kompanive që janë nën hetim përcaktohet edhe në Rregullën REMIT, e njohur si Rregulla për Integritetin dhe Transparencën e Tregut me Shumicë të Energjisë.

REMIT është një kornizë rregullatore e Bashkimit Evropian, e cila synon të parandalojë manipulimin e çmimeve, tregtimin mbi bazën e informacioneve të brendshme dhe praktikat e tjera abuzive në tregjet e energjisë elektrike dhe gazit.

Kosova e ka përshtatur këtë rregullore në kuadër të detyrimeve që ka si palë kontraktuese e Komunitetit të Energjisë.

Neni 13, paragrafi 3.1 i kësaj rregulle ia njeh Rregullatorit të drejtën për të pasur qasje në dokumentet relevante për hetimet dhe për të siguruar kopje të tyre. Në këtë kategori përfshihen edhe kontratat e importit të energjisë elektrike, kur ato janë të nevojshme për hetimin.

Burimi: Insajderi

Lexo edhe

Inspektorati ndalon punimet në një objekt ndërtimi në Gjakovë, evidentohen shkelje të masave të sigurisë

Inspektorati ndalon punimet në një objekt ndërtimi në Gjakovë, evidentohen shkelje të masave të sigurisë

Partitë Popullore Evropiane propozojnë pezullimin e partisë së Vuçiqit

Partitë Popullore Evropiane propozojnë pezullimin e partisë së Vuçiqit

“Rifillim i bisedimeve dhe tema e Kosovës” – Koopman flet për zhvillimet politike në Serbi pas fitores së opozitës

“Rifillim i bisedimeve dhe tema e Kosovës” – Koopman flet për zhvillimet politike në Serbi pas fitores së opozitës