Dy të dyshuarit për grabitjen e armatosur të dy argjendarive në Gjakovë kanë përfunduar një muaj prapa grilave, pasi Gjykata Themelore në Gjakovë ua kishte caktuar këtë masë të sigurisë nën dyshimin për veprat penale “Grabitja” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”.

Bëhet fjalë për dy grabitjet e kryera më 5 dhe 16 nëntor në argjendaritë “Xhintoni” dhe “Balt Simoni”, në Gjakovë, gjatë të cilave, sipas Prokurorisë, të dyshuarit kishin vepruar të maskuar dhe të armatosur.
Sipas kërkesës së Prokurorisë, në rastin e parë, më 5 nëntor, rreth orës 17:15, në argjendarinë “Xhintoni”, në rrugën “Nënë Tereza”, Arbenit Ukaj dhe Lirim Istrefaj dyshohet se kishin vepruar të maskuar dhe të armatosur.
Ata dyshohet se kishin marrë me qira një veturë “VW Passat” në Deçan, së cilës ia kishin vendosur targat e vjedhura. Pas vëzhgimit të lokalit, Arbenit Ukaj, i armatosur me armë automatike, dyshohet se kishte kërcënuar pronarin N.P. dhe nënën e tij, ndërsa Lirim Istrefaj, me çekan, kishte thyer vitrinat dhe kishte marrë stoli ari në vlerë prej 27 mijë eurosh, si dhe 1 mijë e 600 euro nga pazari ditor.
Grabitja e dytë kishte ndodhur më 16 nëntor, rreth orës 16:56, në argjendarinë “Balt Simoni”, në rrugën “Sylejman Hadum Aga”.
Sipas Prokurorisë, të dyshuarit kishin marrë me qira një veturë “VW Golf VII” në Pejë, së cilës i kishin vendosur targa të vjedhura. Gjatë grabitjes, Arbenit Ukaj dyshohet se kishte kërcënuar me armë pronarin M.S. dhe familjarët e tij, ndërsa Lirim Istrefaj kishte thyer xhamat me çekan dhe kishte marrë stoli ari nga sirtarët.
Në momentin kur një person, Sh.V., kishte tentuar të ndërhynte, Arbenit Ukaj dyshohet se kishte shtënë me armë zjarri, duke e plagosur atë në këmbën e djathtë.
Dy ditë pas grabitjes së dytë, të dyshuarit ishin arrestuar. Gjatë bastisjeve në Deçan, Policia kishte gjetur dhe sekuestruar para të gatshme, ari, një veturë “Golf 7”, armë zjarri dhe prova të tjera materiale.
Ndërkohë, gjatë hetimeve ishte gjetur edhe arma e gjatë me të cilën dyshohet se ishte plagosur personi gjatë grabitjes së argjendarisë “Balt Simoni”. Arma ishte fshehur në një shtëpi të pabanuar.
Shënim: Personat e përmendur në këtë lajm konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali





