Policia e Shqipërisë ka finalizuar operacionin e koduar “Transit 3”, në kuadër të të cilit është arrestuar një 19-vjeçar nga Konispoli, ndërsa një 21-vjeçar nga Kosova është shpallur në kërkim. Të dy dyshohen për përfshirje në transportimin e paligjshëm të emigrantëve drejt Greqisë.

Sipas njoftimit të Policisë, 21-vjeçari me inicialet A.S., banues në Kosovë, dyshohet se transportonte kundrejt pagesës katër shtetas kinezë, të cilët synonin të kalonin ilegalisht kufirin drejt Greqisë. Ndërkaq, 19-vjeçari M.M. nga Konispoli dyshohet se kishte rolin e vëzhguesit, duke monitoruar rrugën për praninë e forcave policore.
Gjatë ndërhyrjes pranë Konispolit, i dyshuari nga Kosova ka braktisur automjetin dhe është larguar në këmbë, duke shfrytëzuar errësirën dhe terrenin për t’iu shmangur arrestimit.
Policia ka arrestuar 19-vjeçarin, ndërsa ka sekuestruar dy automjetet që dyshohet se janë përdorur në këtë veprimtari. Ndërkohë, kërkimet për kapjen e 21-vjeçarit nga Kosova janë duke vazhduar.
Rasti i është referuar Prokurorisë së Sarandës për veprime të mëtejshme hetimore.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali





