Jensen Huang, i njohur për xhaketën e tij prej lëkure të zezë që e vishte në takimet me aksionarët, dukej se i kishte të gjitha.

Ai kërkohej nga udhëheqësit si në SHBA ashtu edhe në Kinë, adhurohej nga investitorët dhe shihej si një njeri i përkushtuar ndaj familjes.
Por, një qasje e ngjashme me atë të një ylli roku në jetën e tij personale, çoi përfundimisht në dorëheqjen e tij.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, 63-vjeçari është i martuar që nga viti 1985, shumë kohë para themelimit të Nvidia-s, kompanisë që e katapultoi atë në majat e botës së teknologjisë.
Ai njihet si një njeri i fiksuar pas punës dhe një menaxher kërkues, me standarde të larta për ata që punonin për të – përfshirë fëmijët e tij, të cilët u avancuan brenda kompanisë.
Megjithatë, këtë javë reputacioni i tij personal pësoi një rënie të lirë, i dëmtuar nga lidhje romantike që ngrenë dyshime mbi përqendrimin dhe gjykimin e tij.
Të enjten, ai dha dorëheqjen pas zbulimit të njëpasnjëshëm të dy lidhjeve jashtëmartesore.
Lajmi për të parën – një marrëdhënie me një grua biznesi, e cila dyshohet se është spiune kineze – bëri bujë në mbarë botën, duke shkaktuar shqetësim te investitorët.
Kësaj iu shtuan, të mërkurën, raportimet se kreu i kompanisë së teknologjisë kishte pasur gjithashtu një lidhje me një kolege në Nvidia.
Largimi i tij krijoi pasiguri në tregun global të aksioneve, i cili ishte tashmë i lëkundur gjatë javëve të fundit.
Nvidia është një gur themeli në garën midis SHBA-së dhe Kinës për epërsi teknologjike.
Ndoshta emri i Huang-ut nuk është aq i njohur për publikun e gjerë sa ai i Elon Musk-ut apo Mark Zuckerberg-ut.
Megjithatë, roli i tij në industrinë e teknologjisë – veçanërisht në lidhje me hovin e inteligjencës artificiale gjatë tre viteve të fundit – mund të rezultojë të jetë edhe më vendimtar.
Nvidia dominon tregun e mikroçipeve që fuqizojnë këtë teknologji të re.
Kompania, e cila pavarësisht ngjarjeve të fundit vlerësohet ende në rreth 4 trilionë dollarë, ndodhet në qendër të garës për inteligjencën artificiale midis SHBA-së dhe Kinës, dy fuqive kryesore teknologjike dhe ekonomike në botë.
Huang gëzonte qasje të jashtëzakonshme në nivelet më të larta të pushtetit politik, duke qenë i kërkuar si nga presidenti amerikan Donald Trump, ashtu edhe nga presidenti kinez Xi Jinping.
Ngjitja e tij e jashtëzakonshme në majat e profesionit e ka bërë atë të njihet si “Taylor Swift-i i teknologjisë”, ndërsa pasuria e tij vlerësohet në 145 miliardë dollarë, sipas Indeksit të Miliarderëve të Bloomberg.
Pavarësisht se shfaqet gjithmonë me veshjet e tij karakteristike krejtësisht të zeza dhe mban një qasje të shpenguar gjatë prezantimeve për investitorët, Huang është përpjekur prej vitesh të paraqitet si një njeri i përkushtuar ndaj familjes, një shembull i vërtetë i “Ëndrrës Amerikane”.
I lindur në Tajvan në vitin 1963, Huang u shpërngul me familjen në bregun perëndimor të SHBA-së kur ishte nëntë vjeç.
Ai u diplomua si inxhinier elektrik në Universitetin Shtetëror të Oregonit dhe më pas mori një diplomë master në të njëjtën fushë nga Universiteti Stanford.
Ishte pikërisht gjatë studimeve universitare që ai njohu bashkëshorten e tij, Lori Mills.
Ata ishin partnerë në laborator dhe u martuan në vitin 1985, tetë vjet para se Huang të themelonte Nvidia-n.
Çifti ka dy fëmijë, Madison dhe Spencer, të cilët sot mbajnë pozicione të larta drejtuese në Nvidia.
Kompania u bë një furnizues kyç i çipave dhe qarqeve kompjuterike që përdoreshin për lojëra elektronike, përpara se të zgjerohej në një drejtim të ri.
Tashmë, ajo prodhon çipat kryesorë të përpunimit që fuqizojnë teknologjinë në zhvillim të inteligjencës artificiale (AI).
Huang e ka cilësuar inteligjencën artificiale si një “revolucion të ri industrial”, të krahasueshëm me shpikjen e energjisë elektrike.
Nvidia është kompania e dytë më e vlefshme në botë dhe mes klientëve të saj numërohen gjigantët më të mëdhenj globalë – Google, Meta, Amazon, Microsoft, SpaceX, Tesla, OpenAI dhe Anthropic – të cilët shpenzojnë shuma të mëdha për produktet e saj.
Ndaj nuk është çudi që, në një samit të fundit mbi inteligjencën artificiale në Shtëpinë e Bardhë, Huang u zgjodh nga një grup prej 42 personash për të qëndruar pranë presidentit, së bashku me Elon Musk-un – dy figura me të cilat Trump gëzon marrëdhënie tejet të ngushta.
“Jensen Huang është një vizionar i teknologjisë, në të njëjtin nivel me Steve Jobs-in”, u shpreh për BBC-në, Stephen Witt, autor i librit *Thinking Machine* (një biografi për Jensen Huang), duke iu referuar ish-kreut të ndjerë të Apple.
Ai shtoi se Huang është njeriu që qëndron pas krijimit të harduerit për inteligjencën artificiale, ashtu siç e njohim sot.
Ai e përshkroi Huang-un si një drejtues “kërkues”, i cili “i shtyn njerëzit e tij deri në kufijtë e mundësive të tyre”.
Por, ndonëse ish-drejtori ekzekutiv i Nvidia-s është “shumë i shkëlqyer” dhe një “shkencëtar kompjuterik i nivelit botëror”, te ai vërehet gjithashtu “njëfarë arrogance”, si dhe “njëfarë vetëmashtrimi”, tha ai.
Huang ishte përpjekur jashtëzakonisht shumë për t’u paraqitur si një njeri i përkushtuar ndaj familjes, shtoi ai – diçka që ishte “shumë e rëndësishme për të”.
“Ai e lavdëron bashkëshorten e tij; flet për të me fjalë tejet të ngrohta e plot admirim”, shtoi Witt.
“Pasojat e një situate të tillë do të ishin të rënda për familjen e kujtdo. Por, për dikë që është përpjekur kaq shumë për të krijuar imazhin e një njeriu të përkushtuar ndaj familjes dhe që i mban fëmijët e tij shumë pranë vetes, kjo është vërtet shumë e rëndë”.
Raportet e para u shfaqën më 29 tetor në “New York Times”, ku pretendohej se Huang kishte pasur një lidhje me Alice Huang (pa lidhje gjaku me të).
Zyrtarë amerikanë pretendojnë se sipërmarrësja – e lidhur me kompaninë “Megaspeed” me seli në Singapor – është një agjente e shërbimeve të inteligjencës kineze.
Pas zbulimit të kësaj lidhjeje, Huang pranoi se kishte qenë “i pabesë” ndaj bashkëshortes së tij dhe kërkoi ndjesë që kishte lënduar familjen e tyre.
Trump, si dhe udhëheqës të tjerë në industrinë e teknologjisë së inteligjencës artificiale, fillimisht e mbështetën Huangun që të vazhdonte në rolin e tij në Nvidia. Presidenti e përshkroi atë si një njeri “të nderuar”.
Megjithatë, raportimi për një lidhje të dytë – me Kimberly Powell, nënkryetare për kujdesin shëndetësor, e cila ka punuar në Nvidia për 18 vjet – çoi në një mbledhje të bordit, pas së cilës u njoftua se Huang po largohej nga detyra.
Pas këtij lajmi, Trump deklaroi se Huang kishte bërë “një punë fantastike” dhe propozoi Tim Cook-un e Apple si një zëvendësues të përshtatshëm në krye të Nvidia-s.
Dhe saga e lidhjeve të tij nuk përfundon me kaq.
Sipas Reuters, duke u bazuar në fjalët e dy personave të njohur me çështjen, Jensen Huang – i cili u largua nga posti i CEO-s së Nvidia-s – ka pasur një marrëdhënie intime edhe me një punonjëse të dytë. /Telegrafi/





