Nga importi te prodhimi vendor – plani prej një miliard eurosh në fokus të “The Future of Business”

Nga importi te prodhimi vendor – plani prej një miliard eurosh në fokus të “The Future of Business”

Nga importi te prodhimi vendor – plani prej një miliard eurosh në fokus të “The Future of Business”

Më 18 nëntor do të mbahet edicioni i tretë i konferencës “The Future of Business”, organizuar nga Data4X, me fokus te investimet konkrete, zhvillimi i prodhimit vendor dhe realizimi i nismës “Agjenda 1 Miliard”, e cila synon zëvendësimin e rreth një miliard eurove importe me prodhim vendor deri në vitin 2030.

Sponsor 3M Express

Në një intervistë për Telegrafin, Flandra Marmullaku nga Data4X ka folur për përgatitjet e konferencës, rezultatet e analizave të realizuara deri më tani dhe hapat që pritet të ndërmerren nga sektori privat dhe institucionet për ta shndërruar këtë potencial ekonomik në investime konkrete.

Sipas saj, edicioni i sivjetmë, që organizohet nën moton “From Opportunity to Investment” (Nga mundësitë te investimet), shënon një fazë të re të nismës, duke kaluar nga identifikimi i mundësive te financimi dhe planet e veprimit.

“Vitin e kaluar kemi folur për mundësitë, domethënë i kemi identifikuar këto mundësi, ku janë, për rritjen e prodhimit vendor. Ndërsa sivjet do të fokusohemi te kapitali apo te financimi. Çka na duhet dhe ku na duhet financim për t’i bërë këto të mundshme?”, ka deklaruar Marmullaku.

Marmullaku ka shpjeguar se Data4X ka analizuar rreth nëntë mijë produkte të tregtisë së jashtme, duke identifikuar potencialin që një pjesë e konsiderueshme e importeve të zëvendësohen me prodhim vendor.

Sipas saj, analiza ka identifikuar deri në nivel produkti sektorët ku ekzistojnë mundësi reale për zgjerimin e kapaciteteve prodhuese.

“Një miliard euro deri në vitin 2030 mund të kthehet në prodhim vendor, nëse ne të gjithë punojmë në këtë strategji së bashku, që është e bazuar në të dhëna”, ka theksuar ajo.

Ndër sektorët me potencial janë materialet e ndërtimit, industria e pijeve, bujqësia dhe fusha të tjera të prodhimit.

Megjithatë, Marmullaku ka theksuar se realizimi i këtij objektivi kërkon jo vetëm kapital financiar, por edhe ekspertizë, teknologji dhe bashkëpunim ndërmjet institucioneve dhe bizneseve.

Një nga elementet kryesore të konferencës do të jetë prezantimi i planeve të veprimit nga institucionet dhe sektori privat.

Marmullaku ka bërë të ditur se pjesëmarrësit do të kenë mundësi të njihen edhe me përvojat e vendeve të tjera, përfshirë Slloveninë dhe Poloninë, lidhur me strategjitë që kanë ndikuar në zhvillimin e tyre ekonomik.

Në konferencë pritet të marrin pjesë përfaqësues të institucioneve financiare, sektorit privat dhe Komisionit Evropian.

“Do të kemi edhe shembuj konkretë nga shtetet si Sllovenia dhe Polonia, cilat janë historitë e suksesit se si kanë arritur ta rrisin zhvillimin ekonomik me një strategji, e cila do të na ndihmojë edhe neve sa i përket Agjendës Një Miliard”, ka thënë ajo.

Sipas Marmullakut, konferenca synon të krijojë një hapësirë ku mundësitë e identifikuara për investime të lidhen me burimet e financimit dhe veprimet konkrete të institucioneve.

Duke folur për procesin që i ka paraprirë konferencës, Marmullaku ka treguar se Data4X ka organizuar tri takime në kuadër të formatit “Data4Breakfast”, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të sektorit privat dhe institucioneve.

Një takim është zhvilluar me sektorin e tregtisë me shumicë dhe pakicë, ndërsa dy të tjerët me sektorët e përpunimit të mishit dhe të pijeve.

Marmullaku ka vlerësuar se ekziston vullnet nga palët për të avancuar agjendën, por ka theksuar se mbeten sfida të rëndësishme në financim, legjislacion dhe procedura rregullative.

Ajo ka theksuar se konferenca e 18 nëntorit nuk synon të jetë një aktivitet i izoluar, por pjesë e një procesi afatgjatë që do të vazhdojë edhe gjatë vitit 2027.

Sipas saj, takimet me sektorët e ekonomisë do të vazhdojnë, ndërsa në fazat e ardhshme do të prezantohet progresi në zbatimin e planeve të veprimit.

“Për të mos mbetur si objektiv, ne prandaj jemi duke e vazhduar prej vitit të kaluar, që kjo të mos mbetet vetëm një temë që e kemi hapur, por një punë e vazhdueshme”, është shprehur ajo.

Marmullaku ka ftuar përfaqësuesit e bizneseve dhe institucioneve që të bëhen pjesë e nismës, duke theksuar se realizimi i saj kërkon kontributin e të gjithë sektorëve.

“Çdo gjë që ne do ta prezantojmë është e matshme dhe është e bazuar në të dhëna, kështu që jemi shumë të hapur që secili që e sheh se mund të kontribuojë në këtë agjendë, të na bashkëngjitet në këtë nismë”, ka deklaruar Marmullaku.

Edicioni i tretë i “The Future of Business”, më 18 nëntor, pritet të shërbejë si një platformë diskutimi për investimet, financimin dhe bashkëpunimin institucional, me synimin që potenciali i identifikuar për prodhimin vendor të shndërrohet në rezultate konkrete për ekonominë e Kosovës. /Telegrafi/

Lexo edhe

“Do të bëhet gjaku deri në fyt” – kërcënoi ish-kunatën për shkak të fëmijëve, 50-vjeçari paraqitet në Polici dhe përfundon në pranga

“Do të bëhet gjaku deri në fyt” – kërcënoi ish-kunatën për shkak të fëmijëve, 50-vjeçari paraqitet në Polici dhe përfundon në pranga

Nëna denoncon djalin 17-vjeçar për dhunë psikologjike në Gjakovë – i mituri largohet nga shtëpia, Policia në kërkim të tij

Nëna denoncon djalin 17-vjeçar për dhunë psikologjike në Gjakovë – i mituri largohet nga shtëpia, Policia në kërkim të tij

Kane e zbulon trofeun që e dëshiron më shumë se gjithçka

Kane e zbulon trofeun që e dëshiron më shumë se gjithçka