Giovani Cinari, i lindur dhe i rritur në Angli, me prejardhje nga Shkodra, është një nga pjesëmarrësit në programin OriginAL, përmes të cilit pati mundësinë të vizitonte Kosovën për herë të parë dhe të njihte nga afër historinë dhe lidhjet mes shqiptarëve, shkruan Telegrafi.

Ai tregon se pjesëmarrja në këtë program ka pasur një rëndësi të veçantë për të, pasi, ndonëse historinë e Kosovës e kishte dëgjuar më parë, dëshironte ta shihte vendin me sytë e tij dhe ta përjetonte nga afër këtë lidhje.
“Për mua ka qenë shumë e rëndësishme të jem pjesë e OriginAL. Ka qenë hera e parë në Kosovë për mua, pasi nuk e kisha pasur më parë këtë mundësi. E kam dëgjuar historinë dhe kam dashur ta shoh Kosovën me sytë e mi, si dhe këtë marrëdhënie mes shqiptarëve. Unë vij shpesh në Prishtinë dhe Gjakovë. Mendoj se duhet ta kemi të gjithë këtë marrëdhënie, sepse, si shqiptarë, duhet të bashkëpunojmë”, ka thënë Cinari për Telegrafin.
I lindur në Angli, Giovani tregon se para një viti e gjysmë ka marrë vendimin të kthehet për të jetuar në Shkodër, ku thotë se ka gjetur qetësinë dhe ndihet i përmbushur.
“Kam lindur në Angli dhe para një viti e gjysmë jam kthyer për të jetuar në Shkodër. Kam gjetur qetësinë, jam shumë mirë dhe ndihem shumë i përmbushur”, thekson ai.
Në fund, Cinari përcjell edhe një mesazh për diasporën, duke e konsideruar pjesëmarrjen në programin OriginAL një përvojë që mund të ndryshojë jetën e secilit.
“Është shumë e rëndësishme që e gjithë diaspora të jetë pjesë e këtij programi. E di që jo të gjithë kanë mundësi, por është një përvojë aq shumë ‘life changing’ saqë secili duhet ta gjejë hapësirën e vet për ta përjetuar. Diaspora duhet patjetër ta bëjë këtë”, përfundon Giovani Cinari./Telegrafi/





