Lara Colturi, skiatorja që përfaqësoi Shqipërinë në garën e Kupës së Botës në skijimin alpin, zuri vendin e parë në këtë kompeticion.

Presidenti i Federatës Shqiptare të Skive, Elvis Toçi, gjatë një interviste për Klan News, tha se kjo është një nga arritjet më të mëdha të sportit shqiptar.
“Është një moment historik. Nesër nisemi për në SHBA, për të ndarë gëzimin me të gjithë kombin shqiptar. Është një arritje mbarëkombëtare. Lara ka lindur dhe është rritur në Itali. Kontributi që kemi dhënë për këtë arritje na bën shumë krenarë. Është kurorëzimi i një arritjeje titanike. E them me bindje se është një nga arritjet më të mëdha të sportit shqiptar.
Unë mund ta quaj një shqiptare të madhe. Edhe pse ka lindur në Itali, ajo na dhuroi lot gëzimi. Është i paimagjinueshëm ky impakt. Unë nuk kam qenë i përgatitur shpirtërisht që do të kishim një impakt kaq të madh. Lara Colturi është bërë një simbol bashkimi.
Presioni psikologjik për garën e radhës është shumë i madh. Tashmë ajo nuk garon më si Lara e vogël, por si kampione e botës. Të gjithë sytë do të jenë te Lara Colturi. Sa e zonja do të jetë në menaxhimin e suksesit, aq do të ndikojë edhe në rezultat. Kemi dy gara në SHBA dhe dy në Kanada, të cilat janë vendimtare për sezonin. Lara duhet të tregojë se i përket botës së sportit të madh”, u shpreh ai.





