Përmes një njoftimi, Këshilli i Prindërve ka bërë të ditur se vendimi është marrë për shkak të rrezikut të mundshëm që kushtet aktuale paraqesin për shëndetin e nxënësve.
“Ky është vendim i Këshillit të Prindërve të Shkollës (KPSH), si reagim ndaj gjendjes së krijuar dhe mungesës së garancive konkrete për sigurimin e një ambienti të pastër dhe të sigurt për nxënësit”, thuhet në njoftim.

Sipas Këshillit të Prindërve, pavarësisht përpjekjeve dhe komunikimeve të vazhdueshme me institucionet përgjegjëse, situata ende nuk ka marrë zgjidhje të qëndrueshme.
“Njoftimet për marrëveshje në mes të sindikatës dhe Komunës nuk përbëjnë garanci se shërbimet e pastrimit do të rifillojnë menjëherë dhe se shkolla do të ofrojë kushte të pranueshme higjienike”, thuhet më tej.
Në njoftim theksohet se shqetësimi është rritur edhe për shkak të raportimeve për raste të reaksioneve alergjike te fëmijët, të cilat kërkojnë vlerësim nga autoritetet kompetente shëndetësore.
“Nuk jemi kundër procesit mësimor. Përkundrazi, kërkojmë që ai të zhvillohet rregullisht dhe në kushte dinjitoze. Respektojmë plotësisht të drejtat dhe kërkesat e punëtorëve që janë në grevë”, thuhet në reagim.
Këshilli i Prindërve ka kërkuar nga Komuna e Prishtinës, Drejtoria e Arsimit dhe institucionet përgjegjëse ndërhyrje të menjëhershme, pastrim të plotë të ambienteve shkollore dhe një zgjidhje të qëndrueshme për mirëmbajtjen.
“Nuk kërkojmë privilegje apo kushte të jashtëzakonshme. Kërkojmë vetëm të drejtën themelore të çdo fëmije: një shkollë të pastër, të shëndetshme dhe të sigurt”, theksohet në njoftim.
Në fund, Këshilli i Prindërve u ka bërë thirrje të gjithë prindërve që të premten të mos i dërgojnë fëmijët në shkollë.
“Ky veprim nuk ndërmerret për të dëmtuar procesin arsimor, por për të kërkuar përgjegjësi dhe veprime konkrete nga ata që kanë detyrimin të garantojnë kushtet për zhvillimin e tij”, thuhet në njoftimin e Këshillit të Prindërve të SHFMU “Ismail Qemali” në Prishtinë.
Burimi: RTKLive




