Autoritetet greke janë vënë në kërkim të një 48-vjeçari shqiptar, i dyshuar si një nga autorët e drejtpërdrejtë të vrasjes së 52 vjeçarit me nofkën “Papagallos”, ngjarje e ndodhur më 11 tetor në zonën e Glyfadës, në Greqi.

Sipas raportimit të portalit grek Parapolitika, shqiptari me inicialet E.Q., i njohur edhe me nofkën “Stamatis”, është identifikuar nga Policia greke si drejtuesi i motorit të përdorur në atentat. Hetuesit dyshojnë se ai mund të jetë larguar drejt Shqipërisë, ndërsa po zhvillohen kërkime për lokalizimin dhe arrestimin e tij.
48-vjeçari, me origjinë nga Saranda, dyshohet se ka pasur lidhje me persona të njohur në botën e krimit të organizuar në Greqi, përfshirë grupet e drejtuara nga Manolis Karagiannis, i njohur si “Karaflas”, dhe Vasilis Grivas, të cilët janë vrarë në atentate të mëparshme, transmeton Telegrafi.
Sipas mediave greke, shqiptari ka një të kaluar të rënduar kriminale. Ai ishte shpallur në kërkim edhe për një grabitje të armatosur të një poste në Messini, në korrik të vitit 2023, ku u vodhën rreth 130 mijë euro.
Për këtë ngjarje, në vitin 2025, ai është dënuar nga Gjykata e Apelit për Krime të Rënda në Lamia me 9 vite e 3 muaj burgim, për tri grabitje dhe armëmbajtje pa leje.
Në lidhje me vrasjen në Glyfada, policia greke ka arrestuar më 18 nëntor një 48-vjeçar grek në Agrinio, i dyshuar për bashkëpunim në krim. Sipas hetimeve, ai dyshohet se ka ndihmuar dy autorët pas atentatit, duke i transportuar dhe duke kontribuar në fshehjen e motorit të përdorur në vrasje.
Gjatë kontrolleve, autoritetet kanë sekuestruar motorin e çmontuar, pjesë të tij, automjete dhe prova digjitale që po analizohen nga hetuesit.
Viktima, 52-vjeçari N.G., njihej në qarqet e natës dhe tifozëve të organizuar në Greqi me nofkën “Papagallos”.
Ai u qëllua për vdekje në orët e para të 11 tetorit, në afërsi të fushës së golfit në Glyfada. Hetimet për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në vrasje vijojnë./Telegrafi/





