Në kuadër të aktiviteteve për shënimin e 28 Nëntorit, në Galerinë e Arteve në Gjakovë, sonte hapet ekspozita personale “Kur ngjyrat bëhen qëndresë”, me autor piktorin e ndjerë Mentor Kaçi, e kuruar nga Artan Muhaxhiri.

Përmes kësaj ekspozite prezantohen piktura të Mentor Kaçit, ish-të burgosurit politik, një pjesë e të cilave janë realizuar gjatë kohës së qëndrimit të tij në burg. Veprat e tij sjellin një dëshmi artistike të përvojës së burgut, qëndresës dhe fuqisë së artit për të shprehur përjetime edhe në rrethana të vështira.

Ekspozita rikthyen në kujtesë sakrificën e burrave dhe grave që vuajtën burgjet politike, si dhe të luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët ndër vite kontribuuan dhe sakrifikuan për lirinë.
“Kur ngjyrat bëhen qëndresë” është një homazh përmes artit, kujtesës dhe historisë, duke nderuar jetën dhe veprën e një artisti që edhe në rrethana të vështira gjeti mënyrën për ta shprehur qëndresën përmes pikturës.
Ekspozita mbahet në ambientet e Pallatit të Kulturës “Asim Vokshi”, në Gjakovë, nga ora 19:00./KlanKosova.tv





