Lajmin e ka bërë të ditur ndihmëstrajneri i bavarezëve, Aaron Danks, i cili të martën ka konfirmuar se gjendja e teknikut belg po përmirësohet gradualisht.
Kompany u dërgua me urgjencë në spital të premten, pasi u rrëzua gjatë një seance stërvitore me ekipin rezervë të klubit. 40-vjeçari kishte pasur probleme shëndetësore për shkak të një virusi dhe kishte munguar në disa seanca stërvitore edhe para incidentit.

“E vizitova shkurtimisht dje. Ai është në gjendje të mirë shpirtërore dhe duket se po përmirësohet çdo ditë. Ende nuk ka ndonjë informacion të ri të rëndësishëm sa i përket diagnozës apo rikthimit në punë. Duhet ta lëmë të pushojë dhe t’i japim kohën e nevojshme”, ka deklaruar Danks në konferencën për media para ndeshjes së Kupës së Gjermanisë kundër Magdeburgut.
Ndihmëstrajneri ka bërë të ditur se gjatë vizitës së tij, bisedat me Kompanyn nuk kanë pasur të bëjnë me futbollin apo çështjet taktike.
“Kemi pasur disa biseda të mira, por kemi qëndruar larg futbollit dhe taktikave. Ishte thjesht një bisedë miqësore dhe ishte mirë ta shihja e të bisedoja me të”, shtoi ai.
Bayerni e pret një periudhë të ngarkuar me ndeshje të rëndësishme. Pas përballjes me Magdeburgun të mërkurën, kampionët gjermanë do të përballen me Borussia Dortmundin në Bundesligë të shtunën, përpara udhëtimit drejt Madridit javën e ardhshme, ku do të luajnë kundër Atletico Madridit në Ligën e Kampionëve.
Danks ka theksuar se skuadra ka përjetuar emocione të kundërta gjatë ditëve të fundit, nga shqetësimi për gjendjen shëndetësore të Kompanyt deri te suksesi i Harry Kane, i cili fitoi “Topin e Artë”.
“Ka qenë një javë me emocione ekstreme për ne. Kemi përjetuar gëzim dhe momente të mëdha me Harryn, por edhe ditë të vështira së fundmi”, u shpreh ai.
Sipas Danksit, uniteti dhe fryma ekipore kanë qenë vendimtare për ta ndihmuar skuadrën të përballojë këtë periudhë të vështirë.
“Për t’i kaluar këto momente, na është dashur të mbështetemi te harmonia dhe fryma jonë ekipore. Kjo na ka ndihmuar shumë”, përfundoi ai.
Burimi: RTKLive




