Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar pas akuzave të deputetit Basha dhe ministrit Gashani lidhur me organizimin e Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”, duke ia hedhur përgjegjësinë Qeverisë për problemet që, sipas tij, po e rrezikojnë këtë ngjarje sportive.

Përmes një postimi në Facebook, Rama u ka bërë thirrje Bashës dhe Gashanit që të ndalin, siç i ka quajtur ai, gënjeshtrat në Kuvend dhe të mos e rrezikojnë organizimin e Lojërave për interesa politike.
Ai ka pretenduar se letrat me vërejtje nga Komiteti Ndërkombëtar i Lojërave Mesdhetare, të drejtuara Qeverisë së Kosovës, dëshmojnë se ku qëndrojnë problemet dhe cilat janë obligimet që duhet të përmbushen.
Rama ka theksuar se ai dhe Kryeqyteti kanë vetëm tri nga 13 votat në Komitetin Organizativ, ndërsa shumicën vendimmarrëse, sipas tij, e kanë Qeveria dhe Komiteti Olimpik i Kosovës.
Kreu i Prishtinës ka deklaruar se e mbështet përfshirjen e qyteteve të tjera në organizimin e Lojërave, por vetëm në përputhje me marrëveshjet dhe Masterplanin e miratuar.
Ndër problemet kryesore, Rama ka përmendur mospagesën e obligimeve ndaj Komitetit Ndërkombëtar, për të cilat thotë se Qeveria ka dhënë garanci, si dhe përpjekjet për ndryshimin e Masterplanit.
Ai ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti se po e përdor këtë ngjarje për agjendë populiste dhe po nxit përçarje mes qyteteve për t’iu shmangur përgjegjësisë.
Në fund, Rama ka kërkuar nga Qeveria që t’i përmbushë menjëherë obligimet e marra, duke paralajmëruar se vonesat po e rrezikojnë realizimin e Lojërave Mesdhetare 2030.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali





