Banka Gjermane për Zhvillim (KfW) ka deklaruar për Telegrafin se ende nuk është arritur marrëveshja për nënshkrimin e projektit për modernizimin e menaxhimit të mbeturinave në rajonin e Prishtinës, ndonëse pala gjermane, sipas saj, i ka ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm për zbatimin e tij.

Në një përgjigje për Telegrafin, KfW ka bërë të ditur se aktualisht ekziston mundësia e financimit, por se marrëveshja për nënshkrim ende nuk është arritur. Sipas bankës, tashmë pritet një përgjigje nga pala kosovare.
“Sa i përket statusit dhe hapave të ardhshëm për projektin e menaxhimit të mbeturinave, ne jemi të përkushtuar për modernizimin e infrastrukturës së menaxhimit të mbeturinave në Kosovë. Në këtë fazë ekziston mundësia e financimit, por ende nuk është arritur marrëveshja për nënshkrim. Pala gjermane i ka ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm për zbatimin e projektit dhe tani jemi në pritje të një përgjigjeje nga pala kosovare”, thuhet në përgjigjen e KfW-së për Telegrafin.
KfW-ja ka sqaruar gjithashtu se, ndryshe nga paralajmërimet e nënkryetares së Prishtinës, Besianë Musmurati, nuk ka një afat të caktuar apo datë skadimi gjatë vitit 2026 për finalizimin e marrëveshjeve.
“Nuk ka ndonjë afat të caktuar apo datë skadimi për finalizimin e marrëveshjeve gjatë vitit 2026”, thuhet në përgjigjen e bankës gjermane.
Një tjetër sqarim i rëndësishëm i KfW-së lidhet me shumën e financimit. Banka ka bërë të ditur se Qeveria gjermane ka vënë në dispozicion gjithsej 24 milionë euro, prej të cilave katër milionë euro janë grant dhe 20 milionë euro kredi.
“Për të sqaruar financimin në dispozicion, Qeveria gjermane ka vënë në dispozicion gjithsej 24 milionë euro, prej të cilave katër milionë euro janë grant dhe 20 milionë euro kredi. Mund të aplikohen fonde shtesë nga Bashkimi Evropian, por ato nuk janë pjesë e marrëveshjeve që janë në pritje të finalizimit”, thuhet në përgjigjen e KfW-së për Telegrafin.
Çështja e këtij projekti është shndërruar në përplasje mes institucioneve qendrore dhe Komunës së Prishtinës, pasi kjo e fundit në vazhdimësi e ka akuzuar ministrin e Financave, Hekuran Murati, se nuk po e nënshkruan marrëveshjen për realizimin e investimit.
Nënkryetarja e Prishtinës, Besianë Musmurati, në një intervistë në “Përballje Podcast” në Telegrafi.com, e ka ftuar ministrin Murati në një debat publik, ku do të shpjegonte arsyet pse, sipas saj, nuk po nënshkruhet marrëveshja me Bankën Gjermane për Zhvillim.
Musmurati e ka akuzuar ministrin për bllokimin e projektit për shkak të inateve politike, ndërsa ka paralajmëruar se vonesat mund ta rrezikojnë financimin gjerman.
“Kurrë nuk kam marrë përgjigje prej Hekuran Muratit për këtë punë dhe kam shumë qejf ta kem në një debat, në një përballje, dhe të më tregojë pse nuk po e nënshkruan blerjen e 100 kamionëve shtesë për Prishtinën. Çka po i pengon me mbledhë bërllokun në Prishtinë, se për mua është tejet e pakuptimtë?”, ka deklaruar Musmurati.
Ajo ka thënë se negociatat për projektin kanë nisur në vitin 2023, me përfshirjen e kompanisë rajonale “Pastrimi”, komunave të rajonit, institucioneve qendrore dhe KfW-së.
Sipas saj, financimi ishte paraparë në dy faza, me katër milionë euro grant nga Qeveria gjermane, 20 milionë euro kredi të butë në fazën e parë dhe 50 milionë euro kredi shtesë në fazën e dytë.
“Është dakorduar që katër milionë euro të jenë grant nga Qeveria gjermane, 20 milionë euro kredi e butë si fazë e parë dhe 50 milionë euro si fazë e dytë shtesë. Kjo po i bie 74 milionë euro investim në menaxhimin e mbeturinave në rajonin e Prishtinës”, ka thënë ajo.
– YouTube www.youtube.com
Duke shpjeguar përfitimet e projektit, Musmurati ka përmendur 100 kamionë shtesë, 10 mijë kontejnerë dhe një qendër moderne për riciklimin e mbeturinave. Ajo ka theksuar se kryeqytetit i nevojitet një sistem që shkon përtej grumbullimit të tyre.
“Ne ende flasim veç për grumbullim. Nuk kemi një plan afatgjatë se çka ndodh pastaj kur i grumbullojmë, si mund të klasifikohen, si mund të bëhet kompostimi, riciklimi i mbeturinave e kështu me radhë”, është shprehur ajo.
Gjatë intervistës në “Përballje Podcast”, Musmurati ka prezantuar dokumente që, sipas saj, dëshmojnë dakordimin paraprak të institucioneve për projektin. Ajo i është referuar edhe një vendimi të nënshkruar nga kryeministri Albin Kurti, për të cilin ka thënë se e obligon Ministrinë e Financave t’i ndërmarrë hapat për zbatimin e marrëveshjes.
Po ashtu, ajo ka deklaruar se më 15 maj 2026 i është dërguar Muratit një letër e përbashkët nga kryetari i Prishtinës, drejtuesi i kompanisë “Pastrimi” dhe KfW-ja, me kërkesën për nënshkrimin e saj.
“Gjithçka është e përfunduar. Marrëveshjen e ka në tavolinë. Është kaq e thjeshtë: e çel kimikun, e nënshkruan dhe e jep për ta protokolluar”, ka deklaruar Musmurati.
Nënkryetarja e Prishtinës ka kundërshtuar edhe arsyetimin që ua ka atribuar asamblistëve të Vetëvendosjes për mosbesim ndaj Komunës në menaxhimin e fondeve. Sipas saj, mjetet nuk do të menaxhoheshin nga Komuna e Prishtinës, ndërsa prokurimin do ta realizonte vetë KfW-ja.
“Këto fonde i menaxhon kompania ‘Pastrimi’ dhe KfW-ja. Prokurimin e realizon vetë KfW-ja. A nuk po u besojnë gjermanëve?”, ka pyetur ajo.
Musmurati ka paralajmëruar se, sipas vlerësimit të saj, pala gjermane mund të tërhiqet nëse marrëveshja nuk nënshkruhet deri në fund të vitit 2026.
“Unë mendoj që, në qoftë se nuk e nënshkruan deri në fund të vitit, këta kanë për t’u tërhequr. Këta veçse janë para tërheqjes. Ne i kemi lutur me këtë letër, e kemi lutur edhe KfW-në: ‘Ju lutem, jepni pak më shumë kohë’”, është shprehur ajo.
Megjithatë, përgjigjja e KfW-së për Telegrafin sqaron se nuk ekziston një afat i caktuar apo datë skadimi gjatë vitit 2026 për finalizimin e marrëveshjeve.
Sa i përket gjendjes me mbeturinat në kryeqytet, Musmurati ka thënë se kompania rajonale “Pastrimi” ka vetëm 12 kamionë në dispozicion për Prishtinën. Ajo e ka lidhur mungesën e kapaciteteve me rritjen e numrit të banorëve dhe me investimet që, sipas saj, nuk janë bërë në pritje të financimit nga KfW-ja.
Megjithatë, ajo ka pranuar se Komuna ka përgjegjësi për situatën dhe ka njoftuar angazhimin e kompanive private për ta ndihmuar ndërmarrjen publike.
“Ne nuk kemi ndenjur duarkryq dhe kemi bërë një zgjidhje alternative, ku kemi angazhuar kompani private që kanë filluar t’i ndihmojnë kompanisë ‘Pastrimi’. Po them prapë, kjo është një zgjidhje afatshkurtër. Nuk është zgjidhje afatgjatë”, ka thënë ajo.
Ndërkaq, ministri i Financave, Hekuran Murati, më 2 nëntor 2026, në një konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë, kishte folur për akuzat e Komunës së Prishtinës se po e pengon projektin duke mos e nënshkruar fillimin e tij me Bankën Gjermane për Zhvillim.
Murati kishte thënë se financuesi nuk e mbështet një projekt të tillë nëse nuk sigurohet qëndrueshmëria e kompanisë ekzistuese që merret me mbledhjen dhe menaxhimin e mbeturinave, në këtë rast “Pastrimi”.
Ai kishte cituar kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama, i cili, sipas ministrit, kishte deklaruar se kompania “Pastrimi” do të shuhet dhe do të themelohet një tjetër. Sipas Muratit, një veprim i tillë tregon paqëndrueshmëri dhe pamundëson zbatimin e projektit të mbështetur nga Qeveria gjermane.
“Çështja e mbeturinave dhe kompanisë ‘Pastrimi’ ka të bëjë edhe me faktin që financuesi, në këtë rast Qeveria gjermane, kërkon të ketë parashikueshmëri dhe qëndrueshmëri të kompanisë. Ju e dini që deklarimi i kryetarit të Komunës dhe veprimet, fillimisht kanë qenë që të shpallet tender për një kompani private, pra t’i hiqet kompetenca kompanisë ‘Pastrimi’, të lihet pa të hyra dhe pastaj, kur kjo iu ndalua, tha po e themelojmë një kompani të re, pra po e shuajmë këtë ekzistuese. Shuarja e kompanisë ekzistuese e pamundëson zbatimin e projektit që mbështetet nga Qeveria gjermane. Nuk është problemi as te Ministria e Financave, as te financuesi, problemi është te Komuna e Prishtinës”, kishte deklaruar Murati.
Ministri kishte kritikuar edhe mënyrën se si, sipas tij, qeverisja e Përparim Ramës i ka trajtuar ndërmarrjet publike në kryeqytet.
“Siç e shihni, qasja e tyre ndaj ndërmarrjeve publike është degraduese. Të gjitha ndërmarrjet publike, nëse kanë qenë duke operuar me fitim dhe kushte të mira para se të vinte Përparim Rama, tashmë i shihni se kanë degraduar. E njëjta gjë mund të thuhet për të gjitha ndërmarrjet publike”, kishte deklaruar Murati.
Ai kishte përmendur edhe ndërmarrjen “Termokos”, duke thënë se Qeveria e kishte mbështetur atë me 80 milionë euro financim, por se projekti ende nuk kishte shënuar përparim.
“Problemi i bashkëpunimit nuk qëndron te fakti i mosmbështetjes nga Qeveria. Siç e dini, për Termokosin, ne e kemi shtyrë përpara, e kemi mbështetur me 80 milionë euro financim, por ku është ai projekt sot? Ende nuk ka lëvizur. Kemi të bëjmë me situatën ku keqmenaxhohen ndërmarrjet publike, ku keqmenaxhohet buxheti komunal, shfrytëzohen në mënyrë të paautorizuar fonde të tilla dhe pastaj kërkohet që ne t’i legjitimojmë ato. Nuk mund ta bëjmë një gjë të tillë dhe nuk e bëjnë as financuesit”, ka thënë Murati.
Qeverisja e Përparim Ramës në kryeqytet e ka akuzuar vazhdimisht ministrin Murati se qëllimshëm nuk po e nënshkruan fillimin e projektit me Bankën Gjermane për Zhvillim për menaxhimin e mbeturinave në Prishtinë.
Projekti parasheh blerjen e 100 kamionëve të rinj dhe 10 mijë kontejnerëve, krijimin e një qendre për riciklimin e mbeturinave dhe rritjen e kapaciteteve për menaxhimin e tyre.
Sipas deklarimeve të Musmuratit, paketa e përgjithshme e financimit arrin në 74 milionë euro, ndërsa KfW-ja ka konfirmuar për Telegrafin se aktualisht Qeveria gjermane ka vënë në dispozicion 24 milionë euro, me mundësinë e aplikimit për fonde shtesë nga Bashkimi Evropian.
Gjendja me mbeturinat në kryeqytet vazhdon të jetë problematike, ndërsa marrëveshja për projektin e modernizimit të menaxhimit të tyre ende nuk është arritur për nënshkrim. /Telegrafi/





