Stuhi të fuqishme kanë përfshirë pjesë të ndryshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike, përmbytje, anulime fluturimesh dhe vështirësi në qarkullim.

Për shkak të kushteve të pafavorshme atmosferike, është shtyrë edhe Parada tradicionale e Ditës së Falënderimeve e organizuar nga Macy’s.
Sipas faqes për përcjelljen e ndërprerjeve të energjisë elektrike, PowerOutage.us, të enjten pasdite më shumë se 800 mijë shtëpi dhe biznese kishin mbetur pa energji elektrike, me shumicën e ndërprerjeve të regjistruara në shtetet e Bregut Lindor.
Ndërkohë, deri në mesditë, rreth 1 mijë e 700 fluturime drejt ose nga destinacionet në SHBA ishin vonuar, ndërsa mbi 400 të tjera ishin anuluar, sipas të dhënave të FlightAware.
Parada e Macy’s, e cila mbahet çdo vit me rastin e Ditës së Falënderimeve, është shtyrë deri të shtunën. Vendimi u mor për shkak të shqetësimeve për sigurinë e balonave gjigante që përdoren në këtë ngjarje, pasi erërat e forta paraqisnin rrezik në rrugët mes ndërtesave të larta të Manhatanit.
Situata është përkeqësuar edhe në disa shtete, ku janë shpallur gjendje të jashtëzakonshme. I gjithë Nju Xhersi u vendos nën këtë masë, ndërsa gjendje e jashtëzakonshme u shpall edhe në disa pjesë të Nju Jorkut.
Stuhia ka shkaktuar përmbytje në zona bregdetare nga Karolina e Veriut deri në Nju Xhersi. Disa rrugë dhe ura janë mbyllur, ndërsa ekipet e emergjencës kanë shpëtuar persona që kishin mbetur të bllokuar në vetura të rrethuara nga uji.
Në Merilend, afro dy milionë konsumatorë në qarqet Montgomery dhe Prince George’s janë këshilluar të kufizojnë përdorimin e ujit, për shkak të ndërprerjeve të herëpashershme të energjisë elektrike.
Përveç përmbytjeve dhe erërave të forta, stuhitë kanë shkaktuar edhe paralajmërime për tornado, përfshirë një tornado të rrallë në juglindje të qytetit Seattle, në shtetin e Uashingtonit.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali





