Si mund të vazhdojë BE-ja ta financojë mbështetjen për Ukrainën?

Si mund të vazhdojë BE-ja ta financojë mbështetjen për Ukrainën?

Si mund të vazhdojë BE-ja ta financojë mbështetjen për Ukrainën?

Komisioni Evropian prezantoi javën e kaluar një kredi prej 45 miliardë eurosh për të mbështetur Ukrainën, në një kohë kur vendi po përballet me sulme të vazhdueshme ajrore nga Rusia. Por, nga sigurohen fondet që Bashkimi Evropian po ndan për të ndihmuar Kievin?

Sponsor 3M Express

Propozimi i ekzekutivit të BE-së për një kredi shtesë synon ta ndihmojë Ukrainën të përballojë rritjen e deficitit buxhetor, të shkaktuar nga lufta. Kjo çështje është kthyer në një nga temat kryesore të diskutimeve mes liderëve evropianë në samitin e kësaj jave.

Në qendër të propozimit është një kredi prej 45 miliardë eurosh, e cila, sipas Brukselit, do të ndihmojë në mbulimin e një mungese financimi prej rreth 70 miliardë eurosh që pritet të ketë Ukraina në buxhetin e vitit 2027. Kjo mungesë lidhet kryesisht me shpenzimet e mëdha që po shkakton lufta dhe pasojat e sulmeve të vazhdueshme ruse.

Këto mjete financiare synojnë gjithashtu të forcojnë kapacitetet mbrojtëse të Ukrainës dhe të garantojnë vazhdimësinë e shërbimeve publike bazë.

Që nga fillimi i pushtimit rus në vitin 2022, Bashkimi Evropian dhe shtetet anëtare kanë ndarë gjithsej rreth 245.5 miliardë euro ndihma për Ukrainën.

Por, nga sigurohen fondet për këtë kredi dhe si arrin BE-ja të financojë ndihmat e vazhdueshme për Kievin? Këtë çështje e ka trajtuar James Thomas në një bisedë me Jacob Funk Kirkegaard, studiues i lartë në institutin kërkimor Bruegel, në episodin e emisionit “Euronews Verify”.

Si i siguron BE-ja paratë për Ukrainën?

Bashkimi Evropian i siguron këto mjete përmes huamarrjes në tregjet financiare. Huamarrja mbështetet nga hapësira e lirë në buxhetin e BE-së, që përfaqëson diferencën mes shumës maksimale që Unioni ka të drejtë t’u kërkojë shteteve anëtare dhe shumës që i nevojitet për të mbuluar shpenzimet e buxhetit të tij.

Një nga elementet kryesore të këtij mekanizmi është se borxhi regjistrohet në bilancin financiar të vetë Bashkimit Evropian dhe jo në bilancet e shteteve anëtare.

“Meqenëse BE-ja është një organizatë e themeluar mbi bazën e traktateve, ajo mund të emetojë borxh që nuk pasqyrohet në bilancet financiare të shteteve anëtare. Ky borxh regjistrohet në bilancin e vetë BE-së”, shpjegoi Kirkegaard.

Po përdorimi i aseteve të ngrira ruse?

Propozimi parasheh që kredia të jepet me përgjegjësi të kufizuar, çka do të thotë se Ukraina, në parim, do të jetë e detyruar ta kthejë shumën fillestare vetëm pasi të marrë dëmshpërblimet e luftës nga Rusia.

Plani përfshin gjithashtu një dispozitë që i mundëson Bashkimit Evropian ta shlyejë kredinë përmes përdorimit të aseteve të ngrira ruse, në vend që barra financiare t’i mbetet Ukrainës. Kjo mundësi përfshin edhe fitimet e gjeneruara nga këto asete, si interesat dhe të ardhurat nga investimet.

Sipas një dokumenti informues të Parlamentit Evropian, që nga viti 2022, BE-ja ka ngrirë rreth 210 miliardë euro asete të Bankës Qendrore të Rusisë. Krahas tyre, në shtetet e ndryshme anëtare janë bllokuar edhe dhjetëra miliarda euro asete private ruse.

“Duke pasur parasysh se gjasat që një vend me armë bërthamore si Rusia të paguajë ndonjëherë realisht dëmshpërblimet e luftës janë të vogla, besoj se kredia ose do të shlyhet përmes këtyre aseteve të ngrira ruse, ose, në fund, do të paguhet nga taksapaguesit evropianë”, vlerësoi Kirkegaard.

Pse kredia po shkakton përçarje brenda BE-së?

Meqenëse ekziston mundësia që barra financiare e kësaj kredie t’u mbetet në fund taksapaguesve evropianë, paketa e re e ndihmës për Ukrainën ka shkaktuar përplasje mes liderëve të BE-së.

Disa qeveri janë të shqetësuara për reagimin e qytetarëve ndaj ndarjes së fondeve të tjera për Kievin, në një kohë kur çmimet e energjisë mbeten të larta, buxhetet shtetërore janë të kufizuara dhe pakënaqësia e qytetarëve po rritet.

Megjithatë, Kirkegaard vlerësoi se kredia prej 45 miliardë eurosh për Ukrainën përbën një shumë relativisht të vogël në raport me madhësinë e përgjithshme të ekonomisë së Bashkimit Evropian.

“Bëhet fjalë për një shumë që përfaqëson vetëm rreth 0.2 për qind të bruto produktit vendor të BE-së, pra është një pjesë jashtëzakonisht e vogël e ekonomisë së Unionit”, tha ai.

Sipas Kirkegaard, kjo shumë është gjithashtu e papërfillshme në krahasim me shpenzimet sociale të qeverive evropiane, madje edhe me buxhetin e rregullt vjetor të Bashkimit Evropian, i cili arrin në qindra miliarda euro.

Ai theksoi se pasojat financiare të mosmbështetjes së Ukrainës mund të jenë shumë më të mëdha për Evropën.

“Nëse marrim parasysh kostot afatgjata që do të përballej Evropa për t’u armatosur dhe për të qenë në gjendje ta frenojë Rusinë, në rast se ajo do ta nënshtronte Ukrainën, shpenzimet për riarmatimin e Evropës do të ishin dhjetë herë më të larta”, përfundoi Kirkegaard. /Telegrafi/

Lexo edhe

Nga Ohri publikohen pamjet e darkës, Shiroka-Pula dhe liderët e rajonit në një tryezë

Nga Ohri publikohen pamjet e darkës, Shiroka-Pula dhe liderët e rajonit në një tryezë

Presidentja Shiroka-Pula në darkën e presidentëve të Procesit Brdo-Brioni

Presidentja Shiroka-Pula në darkën e presidentëve të Procesit Brdo-Brioni

Lekaj Prljaskaj: Me rezolutën për Vukovarin është përforcuar edhe pozita e Kosovës për të zhdukurit (VIDEO)

Lekaj Prljaskaj: Me rezolutën për Vukovarin është përforcuar edhe pozita e Kosovës për të zhdukurit (VIDEO)