Një person humbi jetën pasi dy helikopterë u përplasën të martën gjatë uljes në helioportin e Pheriche-s, në distriktin Solukhumbu të rajonit të Everestit në Nepal, sipas mediave lokale.

Në aksident u përfshinë një helikopter i kompanisë “Fishtail Air” dhe një tjetër i kompanisë “Air Dynasty”.
Sipas mediave lokale, një turist i huaj që ndodhej në helikopterin e “Fishtail Air” vdiq, ndërsa një pilot mbeti i plagosur, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
Policia konfirmoi për agjencinë AFP se një shtetas i huaj ka humbur jetën dhe një person tjetër është lënduar.
Helikopterët e vegjël u përplasën me njëri-tjetrin ndërsa po uleshin në një terren të mbuluar me borë në distriktin Solukhumbu. Ndërkohë janë publikuar pamje që thuhet se tregojnë momentin e përplasjes.
“Një i huaj ka vdekur në vend, ndërsa një person tjetër i plagosur është dërguar në spital”, deklaroi për AFP-në, Nabin Raja Budhathoki, përgjegjës i Policisë së distriktit Solukhumbu. Ai nuk dha detaje të mëtejshme.
Helikopterët e vegjël përdoren gjerësisht në këtë vend të Himalajeve për transportin e turistëve, alpinistëve dhe furnizimeve, si dhe për kryerjen e evakuimeve emergjente.
Terreni i vështirë dhe kushtet e motit që ndryshojnë me shpejtësi e bëjnë aviacionin në këtë vend veçanërisht të rrezikshëm.
Nepali është shtëpia e tetë prej 14 maleve më të larta në botë, përfshirë Malin Everest, dhe çdo vit tërheq mijëra alpinistë e vizitorë të huaj. /Telegrafi/




