Asamblisti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në Gjilan, Bujar Nevzati, ka kundërshtuar mbylljen e ambulantës në Kishnapole, duke thënë se ky vendim i lë pa shërbime shëndetësore banorët e disa fshatrave të kësaj komune.

Në një reagim në Facebook, Nevzati ka bërë të ditur se ambulanta, e cila sipas tij ka ofruar shërbime për më shumë se 70 vjet, është mbyllur, ndërsa banorët e Kishnapoles, Gadishit, Sllakocit të Epërm dhe të Poshtëm, Verbicës e Zhegocit do të duhet të udhëtojnë rreth 12 kilometra deri në Bresalc për të marrë kujdesin parësor shëndetësor.
Ai e ka cilësuar të papranueshëm këtë vendim, duke theksuar se banorët e këtyre lokaliteteve përballen edhe me vështirësi sociale dhe ekonomike.
“Është e papranueshme dhe e turpshme që pas më shumë se 70 vjetësh shërbimi, ambulanta e Kishnapoles të mbyllet me një vendim të tillë, pa marrë parasysh nevojat dhe hallet e qytetarëve”, ka shkruar Nevzati.
Sipas tij, mbyllja e ambulantës ua vështirëson edhe më shumë jetën banorëve të këtyre vendbanimeve, të cilët, siç pretendon ai, rrezikojnë të detyrohen të shpërngulen drejt Gjilanit.
Nevzati ka ngritur edhe çështjen e kapaciteteve të personelit shëndetësor në komunë, duke pretenduar se në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Gjilan ka punëtorë të tepërt, ndërsa nuk është gjetur zgjidhje për angazhimin e një mjeku dhe një infermiereje në ambulantën e Kishnapoles.
“Pra, nuk është çështje mungese kuadri, por çështje e mungesës së vullnetit dhe e menaxhimit të gabuar të shërbimeve shëndetësore”, ka deklaruar ai.
Në reagimin e tij, asamblisti i PDK-së ka kërkuar tërheqjen e vendimit dhe rikthimin e ambulantës në funksion.
“70 vjet shërbim nuk mund të fshihen me një vendim administrativ! Shëndetësia nuk mbyllet, shëndetësia duhet të afrohet te qytetari!”, ka shkruar Nevzati. /Telegrafi/




