ri prej projektligjeve kanë të bëjnë me marrëveshjet ndërmjet Kosovës dhe Suedisë për ekstradimin, transferimin e personave të dënuar dhe ndihmën e ndërsjellë juridike në çështjet penale. Ndërsa projektligji i katërt parasheh ratifikimin e traktatit për ndihmë të ndërsjellë juridike në çështjet penale ndërmjet Kosovës dhe Belgjikës.
Kryetari i komisionit, Vigan Qorrolli, tha se marrëveshjet me Suedinë përbëjnë një paketë të bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve në fushën e drejtësisë penale.

“Janë marrëveshje ndërkombëtare të cilat shteti ynë dhe Suedia i lidhin në fushën e bashkëpunimit juridik ndërkombëtar”, deklaroi Qorrolli.
Duke shpjeguar rëndësinë e marrëveshjeve, ai u ndal te mundësia e transferimit të personave të dënuar për të vuajtur dënimin në shtetin e tyre.
“Nëse një shtetas i Republikës së Kosovës në Suedi dhe e kundërta, gjykohet penalisht ose kërkohet që një shtetas i Kosovës të vuajë dënimin derisa ai po e kryen për një vepër të kryer në shtetin e Suedisë, ai mund të transferohet në Republikën e Kosovës për të vuajtur këtë dënim”, tha ai.
Gjatë mbledhjes u diskutua edhe për procedurat e përzgjedhjes së kandidatëve për dy pozita vakante në Këshillin Gjyqësor të Kosovës, si dhe për drejtor të Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit.
Qorrolli njoftoi se pas përfundimit të konkurseve do të formohen grupet punuese për shqyrtimin e aplikacioneve.
Përfaqësuesi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes propozoi deputetin Blerim Gashi për kryesues të grupit punues që do të shqyrtojë aplikacionet për anëtarë të Këshillit Gjyqësor të Kosovës. Formimi i dy grupeve punuese u miratua me 11 vota për.
Në anën tjetër, deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, kërkoi që para votimit të marrëveshjeve ndërkombëtare të jetë e pranishme ministrja e Drejtësisë për të raportuar mbi përmbajtjen e tyre.
“Praktikat e deritashme kanë qenë që ministrja vjen në komision, dhe raporton për marrëveshjet”, tha Deliu-Kodra.
Ajo vlerësoi se Kuvendi nuk duhet t’i anashkalojë praktikat e deritanishme të shqyrtimit dhe informimit të deputetëve para votimit.
“Kuvendi nuk guxon t’i tejkalojë këto praktika të mira”, theksoi deputetja e PDK-së.
Burimi: RTKLive




