Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka pritur në takim një delegacion të Rrjetit të Grave të Kosovës, të kryesuar nga kryetarja e Bordit të këtij rrjeti, Nermin Mahmuti.
Siç bën të ditur Presidenca, gjatë takimit, përfaqësueset e RrGK-së e uruan Shiroka Pulën për marrjen e detyrës së Presidentes, ndërsa shprehën gatishmërinë për bashkëpunim në mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të grave.

Një ndër temat kryesore të diskutimit ishte parandalimi i dhunës ndaj grave dhe vrasjeve të tyre, për çka përfaqësueset e RrGK-së paraqitën disa propozime konkrete.
Ndër to u përmend përfshirja e femicidit në Kodin Penal, fuqizimi i mekanizmave për mbrojtjen e viktimave, avancimi i fuqizimit ekonomik të grave, si dhe rritja e buxhetit për punëtorët socialë dhe shërbimet e specializuara për mbrojtjen e grave.
Tutje thuhet se Shiroka Pula vlerësoi punën e Rrjetit të Grave të Kosovës dhe organizatave të shoqërisë civile në adresimin e dhunës ndaj grave.
Po ashtu, Presidentja shprehu gatishmërinë për të mbështetur përpjekjet e tyre, duke theksuar rëndësinë e veprimeve konkrete, koordinimit institucional dhe angazhimit të vazhdueshëm për garantimin e sigurisë dhe të drejtave të grave.
Burimi: Dukagjini




