Mike Tyson, një nga emrat legjendarë në historinë e boksit botëror, do të shfaqet në serialin e njohur turk, “Tuzlu Kahve”, që transmetohet në televizionin Star TV.

Ish-kampioni i botës në boksin e peshave të rënda do të shfaqet në rolin e një miku të Mehmetit, personazhit të luajtur nga aktori Buğra Gülsoy, i cili vjen nga Amerika.
Në promon e episodit të 13-të, të publikuar nga televizioni me mbishkrimin “Surpriza Mike Tyson”, boksieri i njohur shfaqet teksa mbërrin në shtëpinë e Mehmetit.
Në skenat e publikuara, ai pritet nga Hatun, personazhi i luajtur nga Binnur Kaya, ndërsa mysafirit i shërbehen ‘mıhlama’, një gatim tradicional turk, dhe kafe turke.
Ndërkohë, Candan, e interpretuar nga Şevval Sam, shprehet se do t’ia lexojë filxhanin e kafesë Tysonit.
Më 26 tetor, Tyson kishte mbërritur në Stamboll së bashku me familjen e tij, ku në një terminal privat iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve. Me atë rast ishte bërë e ditur se ai do të shfaqej në një serial televiziv.





