Në Galerinë e Arteve të Prishtinës, sonte nga ora 19:00, hapet ekspozita e dizajnerit Taulant Qerkini e titulluar “Masnesër” dhe e kuruar nga Zedz Zedz, e cila sjellë para publikut një koleksion veprash që ndërthurin elementet tradicionale të kulturës shqiptare me format moderne të shprehjes artistike.

“Masnesër” është rezultat i një hulumtimi vizual shumëvjeçar mbi trashëgiminë kulturore shqiptare dhe mënyrën se si ajo është ruajtur dhe përcjellë ndër breza përmes veshjeve tradicionale, tekstileve, zejtarisë dhe objekteve të jetës së përditshme. Përmes një qasjeje bashkëkohore, motivet dhe elementet grafike të trashëgimisë sonë kulturore riinterpretohen dhe marrin dimensione të reja artistike, duke ruajtur njëkohësisht lidhjen me origjinën dhe identitetin kulturor.
Në këtë ekspozitë, trashëgimia kulturore shqiptare prezantohet si një burim frymëzimi, që ruan rrënjët e saj, ndërsa gjen forma të reja për të komunikuar me brezat e sotëm dhe ata që vijnë. /KlanKosova.tv




