Në konferencën për media para Prokurorisë Speciale, në 10-vjetorin e vdekjes së Astrit Deharit, nëna e tij, Xhemile Dehari, është përplasur verbalisht me një gazetar, i cili e pyeti se çfarë kishte bërë Lëvizja Vetëvendosje gjatë gjashtë vjetëve në pushtet për zbardhjen e rastit.

Dehari iu kundërpërgjigj gazetarit, duke thënë se pyetjet duhet të përqendrohen edhe te përgjegjësit për vdekjen e Astritit dhe te periudha kur ai vdiq.
“Pse Vetëvendosje që gjashtë vjet nuk e zgjidh problemin? Pse nuk e shtroni pyetjen kush e vrau Astritin para gjashtë vjetëve? A i harruat ato katër vjet? Në cilën qeveri u vra Astriti dhe kush ka qenë përgjegjës në atë kohë?”, ka deklaruar ajo.
Xhemile Dehari ka kritikuar gazetarët dhe deputetët që, sipas saj, po e përqendrojnë përgjegjësinë për zbardhjen e rastit vetëm te Qeveria aktuale, duke lënë anash periudhën paraprake.
Ajo ka përmendur edhe ish-kryeprokurorin Sylë Hoxha, për të cilin ka thënë se ishte propozuar nga LDK-ja për deputet dhe se kishte tentuar ta mbyllte rastin brenda 15 ditësh.
“LDK-ja e ka pasur kandidat për deputet Sylë Hoxhën, i cili ka dashur ta mbyllë rastin për 15 ditë. E tash dalin kërkojnë drejtësi te VV-ja. Le t’i tregojnë ato të vetat për katër vjet”, është shprehur ajo.
Ajo ka pretenduar gjithashtu se Astrit Dehari ishte vrarë për shkak të përkatësisë dhe aktivitetit të tij në Lëvizjen Vetëvendosje, me qëllim që të frikësoheshin aktivistët e rinj të kësaj partie.
“Astriti ka qenë aktivist i Vetëvendosjes dhe ka vdekur për Vetëvendosjen. E kanë mbytur për VV-në, e jo për diçka tjetër, vetëm për t’i frikësuar të rinjtë e VV-së që të mos merrnin pjesë, sepse e dinin që po vjen LVV-ja dhe po i rrëzon”, ka deklaruar Xhemile Dehari.
Në fund, Xhemile Dehari ka theksuar se Astriti ka qenë aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje dhe ka kërkuar që deputetët të kërkojnë drejtësi për të, duke iu referuar edhe periudhës kur ai ishte në paraburgim.
“Astriti ka qenë i Vetëvendosjes, ka me mbetë i Vetëvendosjes”, ka deklaruar ajo. /Telegrafi/




