Kartonin e kuq të Kreshnik Hajrizit në ndeshjen mes Irlandës dhe Kosovës mediat irlandeze e kanë krahasuar me një prej momenteve më të famshme të futbollit botëror, kur Luis Suárez ndali me dorë topin që po shkonte drejt portës në ndeshjen ndaj Ganës, në Kupën e Botës 2010.

Mbrojtësi i Sionit e largoi topin me dorë nga vija e portës, duke i mohuar Irlandës një gol të sigurt. Për këtë ndërhyrje, gjyqtari akordoi penallti dhe e ndëshkoi Hajrizit me karton të kuq.
Nga pika e bardhë, i saktë u tregua Troy Parrott, i cili realizoi për epërsinë e Irlandës.
Vendimi i gjyqtarit dhe veprimi i futbollistit kosovar shkaktuan reagime të menjëhershme në mediat irlandeze, të cilat e rikthyen në vëmendje rastin e Luis Suárezit në Botërorin e vitit 2010.
“Karton i kuq për Kosovën. Një moment i çuditshëm që Hajrizi e godet topin nga vija kur ishte goli i sigurt. Në stilin e Luis Saurez”, shkruan “Irish Times”.
Edhe transmetuesi publik irlandez, “RTÉ”, e përshkroi ndërhyrjen e Hajrizit si një vendim të lehtë për gjyqtarin.
“Kosova është me 10 lojtarë dhe Irlanda ka penallti. Ishte vendim i lehtë për gjyqtarin, i cili e pa goditjen e Parrott që e dërgoi topin thuajse në portë para se Hajrizi ta nxirrte dorën dhe ta bënte një pritje fantastike. Problemi është që, ai nuk është portier”, raporton “RTÉ”.
Ndërkaq, “Irish Examiner” e përshkroi në mënyrë ironike reagimin e mbrojtësit kosovar në vijën e portës.
“Hajrizi lëvizë si mace dhe e ngreh kthetrën e majtë për ta larguar atë”, shkruan mediumi irlandez.
Rasti i Hajrizit rikujtoi ndërhyrjen e famshme të Suárezit në çerekfinalen e Kupës së Botës 2010 kundër Ganës, kur sulmuesi uruguaian e ndali me dorë topin në vijën e portës, duke shkaktuar penallti dhe duke u përjashtuar nga loja.
Pas këtij episodi, Kosova mbeti me një lojtar më pak dhe përballet me një sfidë edhe më të vështirë në përpjekje për të marrë të paktën barazimin e nevojshëm ndaj Irlandës.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali





