Mbretëria e Bashkuar synon afrim të mëtejshëm me BE-në

Mbretëria e Bashkuar synon afrim të mëtejshëm me BE-në

Mbretëria e Bashkuar synon afrim të mëtejshëm me BE-në

Kryeministri Andy Burnham tha se Mbretëria e Bashkuar do të diskutojë mundësitë për thellimin e mëtejshëm të lidhjeve me Bashkimin Evropian, pas arritjes së një marrëveshjeje që përfshin eksportet britanike të ushqimit, tregtinë e emetimeve dhe një skemë për përvojën e të rinjve.

Kryeministri tha se ishte një “ditë e mirë” për Britaninë dhe Evropën, duke shtuar se, sipas vlerësimeve të Thesarit, marrëveshja mund ta rrisë ekonominë britanike deri në 17 miliardë funte në vit.

Sponsor 3M Express

Presidenti i Këshillit Evropian, António Costa, tha se BE-ja mbetet “e hapur për të pasur marrëdhëniet më të afërta të mundshme” me Mbretërinë e Bashkuar.

Udhëheqësja e konservatorëve, Kemi Badenoch, tha se marrëveshja “nuk është e drejtë”, ndërsa Nigel Farage nga partia Reform e cilësoi atë si “tradhti ndaj popullit britanik”.

Legjislacioni për zbatimin e marrëveshjes pritet të paraqitet në Parlamentin britanik javën e ardhshme.

Burnham mbërriti në Bruksel për të finalizuar fazën më të fundit të procesit të rivendosjes së marrëdhënieve me BE-në pas Brexit-it, të nisur fillimisht nga ish-kryeministri Keir Starmer.

Marrëveshjet e shpallura të premten përfshijnë heqjen e shumicës së kontrolleve për eksportet britanike të ushqimit, në këmbim të zbatimit nga Mbretëria e Bashkuar të disa rregullave të BE-së, duke filluar nga viti 2028.

Qeveria britanike beson se këto ndryshime do të ulin kostot për bizneset dhe mund të sjellin uljen e çmimeve për konsumatorët. Ndërkaq, kritikët argumentojnë se kjo do ta kthejë Mbretërinë e Bashkuar në një vend që vetëm zbaton rregullat e Brukselit, në vend që të marrë pjesë në hartimin e tyre.

Skema e re për përvojën e të rinjve do t’u mundësojë deri në 100 mijë të rinjve nga BE-ja, të moshës 18 deri në 31 vjeç, të udhëtojnë, punojnë dhe studiojnë në Mbretërinë e Bashkuar për një periudhë deri në tre vjet. I njëjti numër të rinjsh britanikë do të mund të udhëtojnë drejt Evropës.

Të dyja palët synojnë që mundësitë e ofruara nga kjo skemë vjetore të jenë në dispozicion të të rinjve jo më vonë se janari i vitit 2030.

Për diskutimin e një marrëveshjeje mbi tarifat e studimit janë paraparë edhe gjashtë muaj të tjerë, çështje kjo që mund të bëhet pengesë në negociata.

Nga pala evropiane ka pasur kërkesa që tarifat e studimit për studentët e BE-së në universitetet britanike të ulen. Në deklaratën e përbashkët thuhet se çdo marrëveshje do të zbatohej edhe për studentët britanikë në BE.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se është “e bindur” se do të gjendet një zgjidhje, ndërsa Burnham shtoi: “Edhe unë”.

Sa i përket migracionit, Mbretëria e Bashkuar dhe BE-ja janë zotuar të bashkëpunojnë ngushtë për të luftuar kontrabandën e migrantëve dhe trafikimin e qenieve njerëzore. Po ashtu, agjencitë e tyre të zbatimit të ligjit pritet të shkëmbejnë më shumë të dhëna.

Burnham tha se është shënuar “përparim i konsiderueshëm” në përpjekjet për të “penguar grupet kriminale që organizojnë kalimet e rrezikshme përmes Kanalit Anglez”.

Deklarata e përbashkët BE–Mbretëri e Bashkuar bëri të ditur gjithashtu se kanë përfunduar bisedimet për ndërlidhjen e sistemeve të tregtimit të emetimeve të gazrave serrë të BE-së dhe Mbretërisë së Bashkuar. Palët synojnë që marrëveshja të zbatohet nga viti 2028”, raporton BBC.

 

Burimi: RTKLive

Lexo edhe

Ekskluzive | Sulmuan policët që po festonin ditëlindjen në lokalin “Sindikat” në veri, njërit ia thyen hundën – katër të dyshuarit përfundojnë në paraburgim

Ekskluzive | Sulmuan policët që po festonin ditëlindjen në lokalin “Sindikat” në veri, njërit ia thyen hundën – katër të dyshuarit përfundojnë në paraburgim

Prindërit po u këndojnë gjithnjë e më rrallë ninulla fëmijëve: Pse ekspertët shqetësohen?

Prindërit po u këndojnë gjithnjë e më rrallë ninulla fëmijëve: Pse ekspertët shqetësohen?

Komandanti i KFOR-it i informon vendet e DECI-t për situatën e sigurisë në Kosovë

Komandanti i KFOR-it i informon vendet e DECI-t për situatën e sigurisë në Kosovë