Sasi të mëdha mbeturinash janë grumbulluar në rrugën “Lord Bajron”, në lagjen Aktash të Prishtinës, duke krijuar probleme për banorët e kësaj zone.

Siç raporton KosovaPress, mbeturinat gjatë kësaj të diele kanë dalë edhe jashtë kontejnerëve, ndërsa era e rëndë që po përhapet në zonë ua vështirëson qarkullimin dhe qëndrimin banorëve.
Lidhur me këtë situatë, KosovaPress ka kontaktuar Komunën e Prishtinës dhe Kompaninë Rajonale të Pastrimit “Prishtina”, për të marrë informacione se çfarë masash do të ndërmerren për përmirësimin e gjendjes.
Megjithatë, deri në momentin e publikimit të raportimit, as Komuna dhe as kompania e pastrimit nuk kanë kthyer përgjigje.
Ndryshe, gjatë muajve të fundit Prishtina është përballur vazhdimisht me probleme të grumbullimit të mbeturinave, ndërsa qytetarët kanë shprehur ankesa të shumta për gjendjen e pastërtisë në kryeqytet. /Kp/




