Mbështetja tek IA-ja po ta kalb trurin, por ja çfarë mund të bësh për këtë

Mbështetja tek IA-ja po ta kalb trurin, por ja çfarë mund të bësh për këtë

Mbështetja tek IA-ja po ta kalb trurin, por ja çfarë mund të bësh për këtë

Çdo produkt i ri teknologjik është krijuar për të na e bërë jetën më të lehtë dhe për të na mbajtur të zbavitur pa menduar aspak. Shkëputuni: përqafojeni parehatinë – dhe mërzinë.

Sponsor 3M Express

Nga: Carly Dober, psikologe
Përkthimi: Telegrafi.com

A keni dëshiruar ndonjëherë të keni asistent personal? Në garën teknologjike që po përshpejtohet gjithnjë e më shumë, Meta ka lansuar së fundmi Muse-in, një agjent të ri personal me IA [inteligjencë artificiale]. Ndryshe nga çetbotët tradicionalë, ky mjet i vogël me IA do të jetë në gjendje të plotësojë formularë për ju, të organizojë kalendarët, të paguajë faturat dhe të bëjë rezervime. Meta e përshkruan Muse-in si një agjent personal “të ndërtuar për të gjithë”. Lansimi vjen në një kohë kur agjentët me IA kanë qenë në titujt e lajmeve për depërtimin në faqet e internetit të qeverive, agjencive publike dhe bizneseve. Megjithatë, shqetësimi im i menjëhershëm është paksa më i afërt.

Punoj si psikologe dhe shpesh flas me klientët për shprehitë e stilit të jetesës që sjellin përfitim afatshkurtër, por shkaktojnë dhimbje afatgjate. Truri ynë ka një mënyrë të mrekullueshme për të parapëlqyer rrugën me më pak rezistencë, për ta bërë atë që është më e lehtë në mënyrë që t’i ruajë burimet tona. Dhe, me kërkesat e jetës moderne që për kaq shumë njerëz duken shumë të lodhshme, është jashtëzakonisht joshës tundimi për të lëvizur pafund në ekran pas një jave të gjatë ose për t’iu drejtuar ndonjë çetboti sepse jeni të rraskapitur.

Djemtë e teknologjisë që na i imponojnë produktet e tyre nuk janë diçka e re (të gjithë e mbajmë mend metaversin, apo jo?), por mesazhi tani duket se ka arritur kulmin për përvetësimin masiv të IA-së dhe për atë se sa thelbësore është ajo për zhvillimin njerëzor. Është e dobishme t’ia kujtojmë vetes se çfarë po na kërkohet të dorëzojmë, kujt dhe pse, dhe të shqyrtojmë rreziqet e mundshme përpara se t’i dorëzojmë të dhënat tona të çmuara.

Disa teknologji, si modelet e mëdha gjuhësore (LLM-të) dhe mediat sociale që kanë algoritëm të lëvizjes së pafund në ekran, duket se kanë një efekt doze: mbështetja e tepërt në këtë teknologji mund të çojë në aktivizimin e disa paragjykimeve kognitive, në shterimin e kimisë së trurit, në ndikimin e disponimit dhe shëndetit mendor, madje edhe në atrofizimin e aftësive neurologjike – për të përmendur vetëm disa nga rreziqet e dokumentuara.

Përdorimi i tepruar i inteligjencës artificiale ndikon në tru dhe në të procesin e të nxënit duke anashkaluar përpjekjen mendore që kërkohet për të ndërtuar lidhje të thella nervore – një proces i njohur si shkarkim kognitiv. Përdorimi i shpeshtë i IA-së nxit pranimin pasiv të informacionit, duke zvogëluar fërkimin e brendshëm dhe kërkimin që nxisin kureshtjen e mirëfilltë dhe zgjidhjen e problemeve. Truri varet nga përpjekja mendore dhe kapërcimi i dështimit për t’i riorganizuar dhe forcuar rrugët tona nervore. Anashkalimi i këtij fërkimi, me kalimin e kohës, e zvogëlon rezervën tonë të përgjithshme kognitive.

Prirja jonë për t’i dhënë përparësi ose më shumë besueshmëri informacionit të ofruar nga teknologjia (si ChatGPT ose Claude) dhe për të shpërfillur një burim manual informacioni që jep të dhëna kundërshtuese (për shembull një tekst shkollor), edhe kur ai është i saktë, ilustron fenomenin e paragjykimit të automatizimit. Vetëkënaqësia ndaj automatizimit është e lidhur ngushtë me të – një koncept që mbivendoset me të dhe që i referohet mbikëqyrjes së teknologjisë më rrallë ose me më pak vigjilencë, për shkak të dyshimit më të vogël se ajo mund të gabojë dhe besimit më të madh në saktësinë e saj edhe kur e dimë se modelet e mëdha gjuhësore shpesh gjenerojnë përgjigje të pasakta.

Mediat sociale janë krijuar për të pasur varësi, sepse modeli i tyre i biznesit mbështetet në maksimizimin e vëmendjes së përdoruesit, ndërkohë që njerëzit heqin dorë nga privatësia sepse shpërblimet e menjëhershme psikologjike peshojnë më shumë se rreziku abstrakt i ekspozimit të të dhënave. Shumica e njerëzve thonë se e vlerësojnë privatësinë e tyre, por sjellja e tyre tregon të kundërtën. Kjo kundërthënie njihet në ekonominë e sjelljes si paradoksi i privatësisë.

Mjetet digjitale e bëjnë jetën jashtëzakonisht të rehatshme – mund të porositni një makinë me prekjen e një butoni, një vakt i ngrohtë mund t’ju dorëzohet në derë dhe mund të porositni e ktheni veshje pa shkëmbyer asnjë fjalë me ndonjë person tjetër. Njerëzit i japin me dëshirë të dhënat e vendndodhjes së tyre, kontaktet dhe historikun e shfletimit në këmbim të hartave falas, rekomandimeve të personalizuara për blerje dhe komunikimit pa pengesa. Shumë njerëz besojnë gabimisht se, meqë nuk po bëjnë krime, të dhënat e tyre nuk kanë vlerë. Ata nuk e kuptojnë se të dhënat e grumbulluara përdoren për të manipuluar shprehitë e blerjes, për të ndikuar në votën politike dhe për të parashikuar ngjarje private të jetës.

Politikat e privatësisë janë gjithashtu qëllimisht të gjata dhe të ngatërruara dhe shkruhen në gjuhë të dendur juridike, e cila është e paarritshme për shumicën dërrmuese të përdoruesve. Përdoruesit përballen me “lodhjen nga pëlqimi” dhe thjesht klikojnë “Pranoji të gjitha” – sa herë që dritarja bezdisëse shfaqet gjatë shfletimit – sepse ndiejnë se nuk kanë zgjedhje reale.

Megjithatë, ka një rrugëdalje nga kjo rrëmujë. Bëhuni më gjykues për informacionin që ndani në internet; mendoni ta çaktivizoni vendndodhjen tuaj – përveçse kur përdorni aplikacione navigimi; refuzoni shtesat [cookies] që ju gjurmojnë; madje, nëse vërtet doni të angazhoheni në pak anarki në internet, filloni edhe t’i helmoni të dhënat tuaja. A ka vërtet nevojë dyqani në internet, ku keni blerë një herë një bluzë, ta dijë emrin tuaj të plotë ligjor dhe datën e lindjes?

Për të shmangur mbështetjen e tepërt tek IA-ja, duhet të filloni të fusni “fërkim” në ditët tuaja -pengesa të qëllimshme që e thyejnë ciklin automatik të kërkimit të kënaqësisë së menjëhershme. Nga këndvështrimi psikologjik, IA-ja krijon shumë varësi sepse e eliminon këtë fërkim, duke ofruar shpërblime të menjëhershme pa asnjë përpjekje kognitive – teksa trurit tonë i duhet përpjekja kognitive për të mbetur i mprehtë. Sa herë që përpiqeni ta zgjidhni vetë një problem ose lexoni një libër në vend të seksionit të komenteve, truri juaj po ushtron.

Nëse e keni të vështirë ta frenoni përdorimin e mediave sociale ose të IA-së, një mënyrë e mirë për të filluar është të dilni nga sesionet tuaja të onlajnit. Ta detyroni veten t’i shkruani manualisht të dhënat e hyrjes çdo herë krijon një pengesë të madhe psikologjike. Gjithashtu, përpiquni ta kufizoni përdorimin e IA-së vetëm në kompjuter desktop ose laptop: heqja e ChatGPT-së, Claude-it ose Gemini-t nga telefoni juaj e eliminon tundimin për t’i përdorur teksa ecni, rrini shtrirë në shtrat ose prisni në radhë. Lëvizja në ekranin e telefonit ose biseda me një çetbot pengon një pjesë të madhe të kohës së nevojshme të endjes së mendjes, për të cilën truri ynë ka nevojë që të funksionojë sa më mirë.

Kur ndjeni t’i bëni një pyetje IA-së ose t’i kërkoni të shkruajë diçka për ju, detyrojeni veten të prisni rreth 30 minuta. Përdoreni këtë kohë për të hedhur ide, për të parë një libër ose thjesht për të qëndruar me problemin. Shpesh dëshira kalon ose e zgjidhni vetë problemin. Angazhohuni që draftin e parë të çdo imejli, letre ose prezantimi ta shkruani krejtësisht vetë. Përqafojeni parehatinë e mundësisë për t’i bërë gjërat gabim. Në vend që t’i kërkoni IA-së një rekomandim ose shpjegim, pyeteni ndonjë mik ose koleg, ose kontrollojeni ndonjë faqe të besueshme interneti. Vonesa gjatë pritjes së një përgjigjeje nga një njeri krijon durimin dhe ne duhet ta ushtrojmë këtë aftësi që ta ruajmë.

Caktoni orë të veçanta të ditës suaj për veprimtari krejtësisht pa ekrane. Lexoni libra, shkruani me stilolaps dhe letër ose dilni për shëtitje pa telefonin tuaj dhe shihni sa ndryshe ndihen gjërat për ju pas gjashtë javësh përpjekjeje të vazhdueshme. Të ndërtohet qëllimisht fërkimi në përvojën e onlajnit pa fërkim, është gjë e vështirë – por, ju premtoj se truri juaj do t’ju falënderojë për këtë. /Telegrafi/

Lexo edhe

Elijona reagon me ironi pasi një banore e BBVK refuzon ta përshëndesë

Elijona reagon me ironi pasi një banore e BBVK refuzon ta përshëndesë

Deputeti Guri ankohet për pushimin e hetimeve ndaj Pecit e Pacollit: Do t’i publikoj dëshmitë tronditëse

Deputeti Guri ankohet për pushimin e hetimeve ndaj Pecit e Pacollit: Do t’i publikoj dëshmitë tronditëse

FOTO/ Dogana zbulon mallra të padeklaruara në kabinën e një kamioni në Han të Elezit

FOTO/ Dogana zbulon mallra të padeklaruara në kabinën e një kamioni në Han të Elezit

Mbështetja tek IA-ja po ta kalb trurin, por ja çfarë mund të bësh për këtë | Momenti