Prokuroria Themelore në Ferizaj ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë caktimin e masës së paraburgimit ndaj nëntë të pandehurve, të dyshuar për veprat penale “Mashtrimi” dhe “Mashtrimi kompjuterik”, në një rast që lidhet me qendra të thirrjeve (Call Center) në Prishtinë.

Gazeta Sinjali ka mësoi ekskluzivisht identitetin e nëntë personave ndaj të cilëve është bërë kërkesa për paraburgim.
Bëhet fjalë për Toni Salihun, rreth 27-vjeçar, Durim Morinën, rreth 36-vjeçar, Diamant Hasanin, rreth 25-vjeçar, Rea Hashanin, rreth 23-vjeçare, Përparim Rekën, rreth 36-vjeçar, Dorent Hajredinin, rreth 27-vjeçar, Faik Zukën, rreth 19-vjeçar, Ariana Plakicin, rreth 32-vjeçare dhe Bidaim Eminin, rreth 23-vjeçar.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, të pandehurit dyshohen se gjatë vitit 2026, deri më 23 tetor, kanë vepruar në lokacione të ndryshme në Prishtinë, të përshtatura dhe të shfrytëzuara si qendra të thirrjeve, përfshirë rrugët “Muharrem Fejza” dhe “Ali Aliu Kelmendi”, si dhe lokacione të tjera të identifikuara nga organet e hetuesisë.
Sipas dyshimeve të Prokurorisë, ata kanë vepruar në mënyrë të organizuar dhe të koordinuar, me role të ndara, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror. Përmes paraqitjes së rreme të fakteve, dyshohet se kanë vënë në lajthim persona të dëmtuar, përfshirë shtetas suedezë dhe shtetas të tjerë të huaj, duke i nxitur të ndërmarrin veprime në dëm të pasurisë së tyre.
Për këto veprime, ata dyshohen për veprën penale “Mashtrimi”, nga neni 323, paragrafi 4, lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Po ashtu, sipas kërkesës për paraburgim, ekziston dyshimi se të pandehurit kanë përdorur pajisje dhe sisteme kompjuterike për të krijuar mundësi të qasjes në distancë në kompjuterët e personave të dëmtuar. Dyshohet se ata janë paraqitur në mënyrë të rreme si përfaqësues të kompanive të investimeve financiare, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm ekonomik.
Për këto veprime, të pandehurit dyshohen edhe për veprën penale “Mashtrimi kompjuterik”, nga neni 277, paragrafi 2, lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Të nëntë të pandehurit, që nga 23 tetori 2026, ndodhen nën masën e ndalimit prej 48 orësh, me vendim të Prokurorit të Shtetit.
Kërkesa për caktimin e paraburgimit tashmë i është drejtuar Gjykatës Themelore në Prishtinë, e cila do të vendosë për masën ndaj tyre.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali




