Ky rezultat i dha fund serisë prej tri humbjesh radhazi të Cityt në kampionat, por vazhdon të ngrejë pikëpyetje për formën e skuadrës së drejtuar nga Enzo Maresca.
Vendasit e nisën ndeshjen më mirë, duke krijuar disa raste përmes Erling Haalandit dhe Nico O’Reillyt, por ishte Fulhami që kaloi i pari në epërsi.

Rodrigo Muniz shënoi në minutën e 16-të, pas një aksioni të bukur të nisur nga Oscar Bobb. Sulmuesi brazilian kontrolloi mirë topin dhe me një goditje të saktë me të djathtën mposhti Gianluigi Donnarumman.
Manchester City tentoi të reagojë menjëherë, por goli i Haalandit u anulua pas një vendimi të diskutueshëm të gjyqtarit, i cili vlerësoi se portieri Bernd Leno e kishte kontrolluar topin me të dyja duart para se norvegjezi ta dërgonte atë në rrjetë.
Haaland pati edhe disa mundësi të tjera, por nuk arriti të gjente rrugën e golit.
Në pjesën e dytë, Manchester City u rikthye me më shumë intensitet dhe arriti të barazojë në minutën e 57-të.
Elliot Anderson realizoi një gol të bukur me volej, pas një topi të kthyer nga mbrojtja e Fulhamit, duke shënuar golin e tij të parë në Premier League për skuadrën e Manchester Cityt.
Pas golit të barazimit, të dyja skuadrat kërkuan fitoren. Fulhami pati disa mundësi të mira përmes Munizit dhe Calvin Basseyt, por Donnarumma reagoi me sukses.
Deri në fund, rezultati nuk ndryshoi dhe skuadrat u ndanë me nga një pikë.
Për Fulhamin, ky është një tjetër rezultat pozitiv, pasi ka pësuar vetëm një humbje në tetë ndeshjet e fundit të kampionatit.
Në anën tjetër, Manchester City ka regjistruar vetëm një fitore në katër ndeshjet e fundit në Premier League, duke vazhduar të jetë larg formës së dëshiruar.
Burimi: RTKLive





