Dy ekspertë të sigurisë dhe mbrojtjes kanë paralajmëruar se tërheqja e mundshme e trupave amerikane nga Kosova do të përbënte një gabim strategjik, me pasoja që mund të shtrihen përtej Ballkanit Perëndimor.

Mark Montgomery, kundëradmiral në pension i marinës amerikane, dhe Ivana Stradner, studiuese e sigurisë, i kanë bërë thirrje Departamentit të Mbrojtjes së SHBA-së që Kosova të mos përfshihet në planet eventuale për reduktimin e pranisë ushtarake amerikane në Evropë.
Sipas tyre, rreth 600 ushtarët amerikanë që shërbejnë në kuadër të misionit të NATO-s në Kosovë (KFOR) kanë një rol thelbësor në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon, ndërsa tërheqja e tyre do t’i kursente Uashingtonit shumë pak para.
“Nga një angazhim relativisht i vogël meriton të mbrohet nga shkurtimet buxhetore: afërsisht 600 ushtarët amerikanë që shërbejnë në Forcën e Kosovës të NATO-s”, shkruajnë Montgomery dhe Stradner.
Ata vlerësojnë se largimi i këtyre trupave do të kishte kosto shumë më të madhe politike dhe strategjike sesa përfitimi financiar që do të sillte.
“Ata luajnë rol kyç në ruajtjen e paqes së vendosur me shumë mund në Ballkan, ndërsa tërheqja e tyre do t’i kursente SHBA-së fare pak para, por do t’i siguronte Rusisë një fitore strategjike me kosto të ulët”, theksojnë ekspertët.
Montgomery dhe Stradner pranojnë se administrata e presidentit Donald Trump ka arsye të kërkojë nga aleatët e NATO-s përgjegjësi më të madhe për mbrojtjen e Evropës. Megjithatë, sipas tyre, KFOR-i është një mision i veçantë, ku roli amerikan nuk mund të zëvendësohet lehtë, pasi prania e SHBA-së ka rëndësi jo vetëm ushtarake, por edhe politike.
Në analizën e tyre, ekspertët paralajmërojnë se Rusia nuk ka hequr dorë nga përpjekjet për destabilizimin e pjesëve të tjera të Evropës, pavarësisht angazhimit të saj në luftën kundër Ukrainës.
“Ballkani, pjesa e cenueshme e Evropës, është një terren i pëlqyer: destabilizimi i tij kushton pak dhe mund ta shpërqendrojë vëmendjen perëndimore nga Ukraina”, thuhet në analizë.
Për të argumentuar rëndësinë e pranisë amerikane në Kosovë, ata kanë krahasuar KFOR-in me misionin evropian EUFOR Althea në Bosnjë dhe Hercegovinë. Sipas tyre, ky i fundit, ndonëse ka rreth 1 mijë e 500 ushtarë, është përballur me vështirësi në reagimin ndaj provokimeve të liderit të Republikës Sërpska, Millorad Dodik, i cili mbështetet nga Moska dhe Beogradi.
Ekspertët theksojnë se mbështetja amerikane dhe një strukturë e unifikuar komanduese janë thelbësore për parandalimin e krizave dhe ruajtjen e stabilitetit.
Aktualisht, SHBA-ja udhëheq Komandën Rajonale të Lindjes në kuadër të KFOR-it, ndërsa kontingjenti amerikan në Kosovë përbën më pak se një për qind të trupave amerikane të dislokuara në Evropë.
Ndërkohë, Pentagoni ka bërë të ditur se rishikimi i pranisë së forcave ushtarake amerikane në Evropë pritet të përfundojë deri më 1 dhjetor 2026.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali





