Nga 1 nëntori, Mali i Zi vendos viza për qytetarët e Rusisë, Kinës, Turqisë, Arabisë Saudite dhe Bjellorusisë
Qytetarëve të Malit të Zi, nga 1 nëntori, do t’u nevojitet vizë për të hyrë në Bjellorusi, ndërsa në Kinë do të mund të udhëtojnë pa vizë deri më 31 dhjetor të këtij viti. Kështu ka njoftuar Ministria e Punëve të Jashtme e Malit të Zi.

Ndërkohë, nga 1 nëntori nis zbatimi i regjimit të ri të vizave të Malit të Zi për shtetasit e Rusisë, Kinës, Turqisë, Arabisë Saudite dhe Bjellorusisë.
Nga Ministria kanë bërë të ditur se kanë pranuar një notë zyrtare nga Ambasada e Bjellorusisë, përmes së cilës janë njoftuar se nga 1 nëntori 2026, qytetarëve malazezë do t’u nevojitet vizë për të hyrë në këtë shtet.
Sa i përket Kinës, sipas informacioneve nga ambasada kineze në Podgoricë, qytetarëve të Malit të Zi u është mundësuar hyrja pa viza deri në fund të këtij viti.
Për udhëtimet në Arabinë Saudite, qytetarëve malazezë u nevojitej vizë edhe më parë.
Kush mund të qëndrojë në Mal të Zi pa vizë?
Ministria rikujton se Qeveria e Malit të Zi, më 23 korrik, kishte miratuar ndryshimet në Rregulloren për Regjimin e Vizave, të cilat fillojnë të zbatohen më 1 nëntor.
Sipas rregullave të reja, qytetarëve të Bjellorusisë, Kinës, Rusisë, Arabisë Saudite dhe Turqisë do t’u nevojitet vizë për të hyrë në Mal të Zi, përveç rasteve të parapara me legjislacionin në fuqi.
Ministria ka sqaruar se këto ndryshime po bëhen me qëllim të harmonizimit të politikës së vizave të Malit të Zi me atë të Bashkimit Evropian dhe përmbushjes së obligimeve në procesin e anëtarësimit në BE.
Kjo përfshin edhe aktivitetet që lidhen me mbylljen e Kapitullit 24 të negociatave – Drejtësia, Liria dhe Siguria, në përputhje me obligimet e përcaktuara në Agjendën e Reformave.
Shtetasit e këtyre vendeve që hyjnë ligjërisht në Mal të Zi deri më 31 tetor, në orën 23:59, mund të qëndrojnë pa vizë deri në 30 ditë, në përputhje me rregullat përkatëse.
Ata që më 1 nëntor ndodhen tashmë në mënyrë të ligjshme në Mal të Zi, mund ta vazhdojnë qëndrimin sipas rregullave në fuqi.
Kërkesa për vizë nuk mund të bëhet në Mal të Zi
Kërkesat për pajisje me vizë mund të dorëzohen në përfaqësitë diplomatike dhe konsullore të Malit të Zi ose në qendrat e aplikimit të kompanisë VFS Global, në vendet ku ofrohet ky shërbim.
Nga Ministria kanë theksuar se kërkesa për vizë nuk mund të parashtrohet në territorin e Malit të Zi.
Tarifa konsullore për aplikim për vizë në përfaqësitë diplomatike dhe konsullore të Malit të Zi është 35 euro. Ndërsa aplikimi përmes qendrave të VFS Global përfshin edhe shpenzime shtesë për shërbimin dhe postën.
Vendimi për kërkesën merret brenda dhjetë ditësh. Në rastet kur nevojitet shqyrtim shtesë, afati mund të zgjatet deri në 30 ditë, përkatësisht deri në 60 ditë kur kërkohet dokumentacion shtesë.
Kërkesa për vizë afatshkurtër, të kategorisë C, duhet të dorëzohet më së voni 15 ditë para udhëtimit të planifikuar, ndërsa për vizën D, e cila mundëson qëndrim më të gjatë, aplikimi duhet të bëhet më së voni 60 ditë para udhëtimit.
Përjashtimet për personat me viza dhe leje qëndrimi të huaja
Ministria ka sqaruar se nga regjimi i ri i vizave ka edhe përjashtime.
Personat që posedojnë dokumente të vlefshme udhëtimi dhe vizë të vlefshme të zonës Schengen ose të Australisë, Japonisë, Kanadasë, Zelandës së Re, Irlandës, Shteteve të Bashkuara të Amerikës apo Mbretërisë së Bashkuar, mund të hyjnë dhe të qëndrojnë në Mal të Zi deri në 30 ditë.
Nëse viza është e vlefshme për më pak se 30 ditë, qëndrimi lejohet deri në ditën e skadimit të saj.
I njëjti rregull vlen edhe për personat që kanë leje të vlefshme qëndrimi në shtetet e zonës Schengen ose në vendet e përmendura.
Planifikohet hapja e qendrave të reja të vizave në Kinë dhe Arabinë Saudite
Ministria e Punëve të Jashtme ka bërë të ditur se po punon për përmirësimin e qasjes në shërbimet e vizave dhe thjeshtimin e procedurave të aplikimit.
Në bashkëpunim me kompaninë VFS Global, tashmë është mundësuar aplikimi për viza malazeze në qendrat në Turqi, Rusi dhe Bjellorusi.
Në periudhën e ardhshme planifikohet hapja e qendrave të tjera të aplikimit në Kinë dhe Arabinë Saudite, si dhe zgjerimi i rrjetit në shtete dhe lokacione të tjera.
Në Rusi, qendrat janë në Moskë, Arkhangelsk, Petrozavodsk, Murmansk, Jekaterinburg, Voronezh, Pskov dhe Novorossiysk. Në Bjellorusi qendra ndodhet në Minsk, ndërsa në Turqi në Ankara dhe Stamboll.
Në fund, Ministria u ka bërë thirrje qytetarëve të Malit të Zi që për udhëtimet në shtetet e tjera të përcjellin njoftimet zyrtare të institucioneve kompetente dhe përfaqësive diplomatike e konsullore.
Ministria ka theksuar se do të vazhdojë të monitorojë zhvillimet dhe ta informojë me kohë opinionin për çdo ndryshim në regjimin e vizave, raporton RTCG,
Burimi: RTKLive




