Komisioneri i Lartë i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, Volker Türk, ka kërkuar hetim urgjent dhe të pavarur për vdekjen e një punonjësi të OKB-së, i cili mbahej në paraburgim nga rebelët Houthi në Jemen.

Mohammad el Shami, i cili punonte në Zyrën e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut në Jemen, vdiq pasi ishte mbajtur në mënyrë arbitrare nga Houthët që prej 6 qershorit 2024, thuhet në një deklaratë të zyrës së komisionerit, të publikuar të shtunën.
Familja e tij bëri të ditur se Shami kishte ndërruar jetë më shumë se një muaj më parë, por se ata ishin njoftuar për vdekjen e tij vetëm së fundmi.
Türk e cilësoi vdekjen e tij si një “humbje zemërthyese” për OKB-në dhe shprehu ngushëllimet për familjen dhe të afërmit e tij, transmeton Telegrafi.
Ai theksoi se familja nuk kishte marrë asnjë shpjegim për shkakun apo rrethanat e vdekjes, duke kërkuar transparencë nga autoritetet Houthi.
“Kjo kërkon publikimin e të gjitha të dhënave përkatëse mjekësore dhe të paraburgimit, ruajtjen e provave dhe shqyrtimin e pavarur të çdo shkaku të deklaruar të vdekjes. Ata që kanë kryer shkelje duhet të mbajnë përgjegjësi”, deklaroi Türk.
Ai shprehu gjithashtu shqetësim të thellë për sigurinë dhe mirëqenien e punonjësve të tjerë të OKB-së që vazhdojnë të mbahen në paraburgim, përfshirë shtatë kolegë të zyrës së tij, si dhe punonjës humanitarë dhe të shoqërisë civile.
Türk përsëriti thirrjen për lirimin e tyre të menjëhershëm dhe pa kushte.
Kryeministri i Jemenit, Shaya al-Zindani, dënoi vdekjen e punonjësit të OKB-së dhe deklaroi se Houthët “mbajnë përgjegjësi të plotë” për të. Ai bëri të ditur se në duart e rebelëve vazhdojnë të mbahen më shumë se 70 punonjës të Kombeve të Bashkuara dhe dhjetëra punonjës humanitarë.
Në qershor të vitit 2024, Houthët njoftuan arrestimin e disa personave, të cilët i akuzuan për përfshirje në një “rrjet spiunazhi” amerikan dhe izraelit në Jemen.
Rebelët Huthi, të mbështetur nga Irani, kanë intensifikuar ofensivën në Jemen gjatë muajve të fundit, duke marrë nën kontroll territore të reja, ndërsa luftimet me qeverinë e njohur ndërkombëtarisht të vendit janë përshkallëzuar.
Arabia Saudite, shteti fqinj, ka ndërmarrë sulme kundër grupit në përpjekje për të penguar përparimin e tij. Si kundërpërgjigje, Huthët kanë lëshuar raketa dhe dronë drejt qyteteve saudite dhe anijeve, ndërsa në korrik shpallën edhe një bllokadë detare ndaj Arabisë Saudite.
Sipas Autoritetit të Përgjithshëm të Aviacionit Civil të Arabisë Saudite, një sulm i Houthëve ndaj aeroportit ndërkombëtar Mbreti Khalid në Riad, muajin e kaluar, la 13 persona të vdekur dhe më shumë se 300 të plagosur. /Telegrafi/




