Llapi ka marrë një fitore shumë të rëndësishme në udhëtim te Dukagjini, duke triumfuar me rezultat minimal 1-0 në stadiumin “18 Qershori” në Klinë, në kuadër të xhiros së 13-të të Superligës së Kosovës.

Heroi i skuadrës nga Podujeva ishte Rilind Hetemi, i cili në minutën e 89-të realizoi një gol spektakolar, duke i siguruar Llapit tri pikë të arta në një ndeshje që po shkonte drejt barazimit pa gola.
Pjesa e parë u karakterizua nga një lojë e kujdesshme e të dyja skuadrave, ndërsa në minutën e 24-të Dukagjini arriti ta dërgonte topin në rrjetë. Megjithatë, pas ndërhyrjes së VAR-it, goli i vendasve u anulua.
As në vazhdim nuk pati shumë hapësira për shënim, ndërsa kur dukej se takimi do të mbyllej pa fitues, Hetemi doli në skenë me një goditje të jashtëzakonshme në minutat e fundit.
Kjo fitore ka peshë të veçantë për Llapin, që i jep fund serisë prej shtatë ndeshjesh pa rezultat pozitiv dhe shkon në kuotën e tetë pikëve, duke mbajtur aktualisht pozitën e nëntë në tabelë.
Në anën tjetër, Dukagjini pëson një tjetër rezultat zhgënjyes dhe mbetet në vendin e gjashtë me 18 pikë, ndërsa vazhdon pritjen për t’iu rikthyer fitoreve pas katër ndeshjeve pa triumf./Telegrafi/



