DETAJE/ Nga 50 centë në 55 euro, nga 1.20 euro në 2 mijë e 300 euro: Çmime marramendëse dhe garanci më të shkurtra në kontratën milionëshe të ndriçimit publik të Prishtinës

DETAJE/ Nga 50 centë në 55 euro, nga 1.20 euro në 2 mijë e 300 euro: Çmime marramendëse dhe garanci më të shkurtra në kontratën milionëshe të ndriçimit publik të Prishtinës

DETAJE/ Nga 50 centë në 55 euro, nga 1.20 euro në 2 mijë e 300 euro: Çmime marramendëse dhe garanci më të shkurtra në kontratën milionëshe të ndriçimit publik të Prishtinës

Pajisje elektrike me çmime deri në 191 mijë për qind më të larta, siguresa të faturuara 10 mijë për qind më shtrenjtë dhe shirit plastik paralajmërues, një metër i të cilit kushton vetëm dy centë në treg, por Komuna e Prishtinës e kontrakton për 8.50 euro. Insajderi sjell detaje nga kontrata milionëshe e projektit për eficiencë energjetike, e cila tashmë ka përfunduar në prokurori.

Sponsor 3M Express

Komuna e Prishtinës kishte kontraktuar në vitin 2025 projektin “Programi për ofrimin e shërbimeve të energjisë në ulje të shpenzimeve financiare (SIPA UA 06 2021)”, me vlerë të parashikuar prej 10 milionë eurosh.

Tenderin e kishte fituar konsorciumi “FULI INŽENIRING SH.P.K. & Gregoric Elektromehanika d.o.o.”. Kompania FULI INŽENIRING SH.P.K. është në pronësi të Afrim Elshanit.

Projekti ishte prezantuar si një iniciativë që do të mundësonte kursime për buxhetin publik përmes modelit ESCO.

Megjithatë, krahasimi i çmimeve të kontraktuara me ato të tregut dhe me kontratat e mëparshme të vetë Komunës nxjerr në pah dallime të mëdha në koston e pajisjeve dhe materialeve.

Pajisja e njëjtë, çmimi 191 mijë për qind më i lartë

Një nga rastet më të theksuara të dallimeve në çmime është pajisja transmetuese e sistemit “Smart”.

Në kontratat e mëparshme të cilat i ka hulumtuar Insajderi del se Komuna e Prishtinës e kishte blerë këtë pajisje me çmim prej vetëm 1.20 eurosh për copë.

Por në kontratën e re 10 milionëshe, në pozicionin 12 të paramasës, e njëjta pajisje, me përshkrim dhe specifika teknike identike, është kontraktuar për 2 mijë e 300 euro për copë.

Kontrata ku u pagua 2 mijë e 300 euro për copë

Kjo paraqet një dallim prej 2 mijë e 298.80 eurosh për njësi, apo një rritje të çmimit prej rreth 191 mijë e 566 për qind krahasuar me kontratën e mëparshme.

Pra, për një pajisje që më parë paguhej 1.20 euro, në projektin aktual Komuna ka paraparë të paguajë 2 mijë e 300 euro.

Tenderi – Ndërtimi, zgjerimi dhe modernizimi i rrjetit te ndriçimit publik – 1.20 euro për copë.

Siguresa prej 50 centësh kontraktohet për 55 euro

Dallime të mëdha shfaqen edhe te pajisjet mbrojtëse elektrike.

Siguresa FID 4P 63/0.5A, të cilën Komuna e kishte kontraktuar më parë me çmim prej 50 centësh për copë, në tenderin milionësh është përfshirë me çmim prej 55 eurosh për copë.

Kontrata ku u pagua 50 cent për copë

Në pozicionin 72 të paramasës të kontratës programi për ofrimin e shërbimeve të energjisë në ulje të shpenzimeve financiare çmimi për këtë pajisje standarde është rritur për 10 mijë e 900 për qind krahasuar me kontratën e mëparshme.

LED 3.2 herë më shtrejntë

Dallimet në çmime nuk janë kufizuar vetëm te pajisjet përcjellëse dhe materialet elektrike. Ato shfaqen edhe te trupat kryesorë ndriçues LED, ku çmimet e kontraktuara në projektin aktual janë dukshëm më të larta se ato të kontratave të mëparshme të Komunës.

Trupi ndriçues LED 150W, me specifikat IP66 dhe dimming, është kontraktuar për 285 euro për copë. Ndërkohë, çmimi referues në një kontratë të mëparshme të Komunës ishte 90 euro. Kjo nënkupton se në kontratën e re i njëjti produkt është rreth 3.2 herë më i shtrenjtë.

Edhe te trupi ndriçues LED 100W vërehet një dallim i ngjashëm. Ai është kontraktuar për 267 euro për copë, ndërsa çmimi referues i mëparshëm ishte 85 euro, apo rreth 3.1 herë më pak.

Ndërkaq, trupi ndriçues LED 50W është kontraktuar për 170 euro për copë, krahasuar me çmimin e mëparshëm prej 50 eurosh. Në këtë rast, çmimi është 3.4 herë më i lartë.

Në të njëjtën kontratë, shtyllat konike të zinguara, me gjatësi prej 9.8 metrash, janë kontraktuar me çmim prej 485 eurosh për copë.

Çmime më të larta, por garanci më e shkurtër

Përveç dallimeve në çmimet e pajisjeve, një tjetër element që bie në sy është edhe kohëzgjatja e garancisë për trupat ndriçues LED.

Pavarësisht se në projektin aktual këto pajisje janë kontraktuar me çmime dukshëm më të larta, garancia e përcaktuar në kontratën me konsorciumin “FULI INŽENIRING” është 10 vjet, ndërsa jetëgjatësia e deklaruar e pajisjeve është së paku 100 mijë orë.

Kjo bie në kontrast me kontratat e mëparshme të Komunës së Prishtinës, ku trupat ndriçues ishin siguruar me garanci 25-vjeçare dhe jetëgjatësi prej 2 milionë e 100 mijë orësh, ndërsa çmimi i tyre ishte rreth një e treta e atij të kontraktuar në projektin aktual.

Pra, në kontratën e re, Komuna ka paraparë të paguajë disa herë më shumë për pajisje, ndërkohë që periudha e garancisë është dukshëm më e shkurtër.

Shiriti që kushton dy centë në treg, Komuna e kontrakton për 8.50 euro për metër

Një tjetër pozicion që ngre pikëpyetje është shiriti plastik paralajmërues, i cili përdoret për identifikimin e kabllove elektrike në kanale.

Në kontratën me konsorciumin “FULI INŽENIRING”, një metër i këtij materiali është kontraktuar me çmim prej 8.50 eurosh.

Por çmimi në treg është shumë më i ulët. Një rrotull standarde prej 300 metrash, me gjerësi 75 milimetra, ofrohet në tregun online të Kosovës për 6.25 euro. Kjo do të thotë se një metër kushton rreth 0.02 euro, apo afërsisht dy centë.

Krahasimi i këtyre çmimeve nxjerr një diferencë prej rreth 40 mijë e 700 për qind. Me çmimin e kontraktuar prej 8.50 eurosh për metër, kostoja e këtij pozicioni arrin në 425 mijë euro.

Kështu, një material që në treg kushton vetëm disa centë për metër, në kontratën milionëshe të Komunës së Prishtinës është përfshirë me çmim prej 8.50 eurosh.

Për këto kontrata Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë ka dorëzuar në Prokurorinë Speciale një denoncim për të cilën pretendon se ka pasur keqpërdorime dhe dëmtim të buxhetit të Komunës së Prishtinës/insajderi.org/

Burimi: Insajderi

Lexo edhe

Mbledhja e kryesisë së Kuvendit: Arben Vitia do të ftohet në interpelancë

Mbledhja e kryesisë së Kuvendit: Arben Vitia do të ftohet në interpelancë

Kërkohet paraburgim për të dyshuarin që kanosi një gazetare në Prishtinë

Kërkohet paraburgim për të dyshuarin që kanosi një gazetare në Prishtinë

“Big Talk” nis këtë të shtunë, në moderimin e Loredana Bratit

“Big Talk” nis këtë të shtunë, në moderimin e Loredana Bratit

DETAJE/ Nga 50 centë në 55 euro, nga 1.20 euro në 2 mijë e 300 euro: Çmime marramendëse dhe garanci më të shkurtra në kontratën milionëshe të ndriçimit publik të Prishtinës | Momenti