Lionel Scaloni ka arritur marrëveshje me Federatën Argjentinase të Futbollit (AFA) për ta vazhduar kontratën si përzgjedhës i kombëtares së Argjentinës deri në përfundim të Kupës së Botës 2030.

Kontrata aktuale e përzgjedhësit argjentinas skadon në dhjetor të vitit 2026, çka kishte ngritur pikëpyetje për të ardhmen e tij në krye të kombëtares.
Megjithatë, tashmë palët kanë arritur marrëveshje për vazhdimin e bashkëpunimit dhe ka mbetur vetëm nënshkrimi i kontratës së re për ta zyrtarizuar atë.
Marrëveshja pritet t’i garantojë vazhdimësi stafit teknik të Argjentinës, ndërsa kampionët e botës përgatiten për sfidat e ardhshme në arenën ndërkombëtare.
Që nga marrja e drejtimit të kombëtares, Scaloni e ka udhëhequr Argjentinën drejt një prej periudhave më të suksesshme në historinë e saj.
Nën drejtimin e tij, “Albiceleste” ka fituar Kupën e Amerikës në vitin 2021, Kupën e Botës në vitin 2022 dhe sërish Kupën e Amerikës në vitin 2024.
Me çështjet kryesore të kontratës tashmë të zgjidhura, Scaloni dhe AFA pritet ta vazhdojnë bashkëpunimin deri në Botërorin e vitit 2030.
Kjo do t’i mundësojë Argjentinës të ruajë stabilitetin në stafin teknik dhe të synojë të mbetet në mesin e kombëtareve më të forta në botë./Telegrafi/




