Vazhdimi i seancës plenare ende nuk ka nisur ndonëse ishte paralajmëruar për në ora 10:00, ku në rend dite është Ligji për Specialen.

Në rend dite të vazhdimit të seancës është votimi i Propozim Rezolutës nga Interpelanca me ministrin e Ministrisë së Shëndetësisë, Arben Vitia, në lidhje me vdekjen e pacientes me kancer të gjirit që mbeti katër muaj pa terapi dhe mungesa e barnave onkologjike.
Po ashtu në rend dite është edhe votimi i Propozim Rezolutës nga Mocioni përmbajtjesor mbi gjendjen në planifikimin, çmimin dhe furnizimin me energji elektrike në Kosovë.
Ndërkaq, pikë e tretë është rishqyrtimi i Ligjit nr. 11/L-001 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 05/L-053 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, të rikthyer nga Presidentja e Republikës së Kosovës.
E sot në orët e paradites, ushtruesja e kryetares së Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku ka bërë të ditur se së bashku me Bedri Hamzën ka takuar kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.
Çitaku në një deklaratë për media theksoi se me kryetarin e LVV-sç nuk kanë dallim në përmbajtje për Ligjin për Specialen, por vetëm në procedura.
“Nuk kemi asnjë dallim në përmbajtje, dallimet i kemi ende vetëm në procedura. Diskutimet vazhdojnë…”, tha ajo.
E pyetur se a pritet që Ligji për Specialen të del sot në votim, ajo tha “po besoj që po”. /Telegrafi/





