Ligji për Specialen, Çitaku: PDK-ja s’ka hequr dorë, me VV-në kemi pajtueshmëri për përmbajtjen, po diskutojmë për procedurën

Ligji për Specialen, Çitaku: PDK-ja s’ka hequr dorë, me VV-në kemi pajtueshmëri për përmbajtjen, po diskutojmë për procedurën

Ligji për Specialen, Çitaku: PDK-ja s’ka hequr dorë, me VV-në kemi pajtueshmëri për përmbajtjen, po diskutojmë për procedurën

Ushtruesja e detyrës së kryetares së Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, shpreh besimin se përmes dialogut dhe bashkëpunimit ndërmjet subjekteve parlamentare do të arrihet pajtueshmëria për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Çitaku nënvizon për Ekonomia Online rëndësinë e angazhimit të përbashkët institucional në mbrojtje të të drejtave të krerëve të UÇK-së dhe të së vërtetës së luftës çlirimtare. Në këtë frymë, ajo shpreh gatishmërinë e PDK-së për të vazhduar bashkëbisedimin me të gjitha partitë politike dhe akterë tjerë relevantë, duke e cilësuar këtë angazhim si një përgjegjësi shtetërore që kërkon bashkëpunim dhe përkushtim të përbashkët.

Sponsor 3M Express

“Ne jemi në bashkëbisedim dhe diskutime intensive me Lëvizjen Vetëvendosje, por edhe me subjekte të tjera politike në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Gjëja më e rëndësishme është që ka pajtueshmëri për përmbajtjen e ligjit, ndërkohë që tani kemi diskutime vetëm për procedurën. Unë dua t’i siguroj të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, mijëra të rinjtë që kanë protestuar në sheshin e Prishtinës, anekënd Kosovës e në diasporë, kudo që ka shqiptarë, se Partia Demokratike e Kosovës dhe Kuvendi i Republikës së Kosovës nuk kanë hequr dorë nga ligji. Përkundrazi. Ligji është tani në procedurë të rregullt parlamentare, përmbajtja është pak a shumë e dakorduar, diskutimi është thjesht për procedurën. Unë jam e bindur që, nëse vazhdojmë me vullnetin politik që kemi demonstruar ditën kur e kemi miratuar ligjin, do të gjejmë zgjidhje dhe ligji do të miratohet në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, tha Çitaku.

E pyetur për takimet me përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje dhe qëndrimin aktual të këtij subjekti, Çitaku ka thënë se janë zhvilluar disa takime me zyrtarë të lartë të kësaj partie.

“Siç e thashë, kemi pasur jo një, por disa takime me zyrtarë të lartë dhe me përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje. Nuk kemi asnjë lloj dallimi për përmbajtjen e ligjit. Aty ku dallojmë është thjesht procedura, por jam e bindur që edhe në këtë pikë do të gjejmë pajtueshmëri. Ne nuk kemi hequr dorë nga ligji, sikurse jemi të vetëdijshëm që miratimi i këtij ligji nuk e përmbush detyrimin që kemi si institucione për t’u dalë në mbrojtje krerëve të UÇK-së, që po mbahen padrejtësisht në Hagë. Janë edhe një varg hapash që institucionet e Republikës së Kosovës, me koordinimin që po bëhet brenda grupit strategjik, do të ndërmarrin në mënyrë që e vërteta e luftës çlirimtare të triumfojë edhe në Gjykatën e Hagës”, u shpreh Çitaku.

Duke komentuar qëndrimin e kryeministrit britanik për respektimin e mandatit të Dhomave të Specializuara, Çitaku ka thënë se iniciativa e PDK-së dhe ligji i miratuar më parë në Kuvend nuk duhet të interpretohen si ndërhyrje në procesin e drejtësisë.

“Është shumë e rëndësishme të theksohet që iniciativa e Partisë Demokratike të Kosovës dhe ligji, i cili më pas mori rreth 90 vota në Kuvendin e Republikës së Kosovës, në asnjë formë nuk duhet të kuptohen si ndërhyrje në procesin e drejtësisë. Përkundrazi, është përpjekje serioze e institucioneve të Republikës së Kosovës për ta kthyer në binarë të drejtë një proces i cili është deformuar në plotëni në Gjykatën e Hagës. Po ua jap vetëm një element: ndërmarrja e përbashkët kriminale është një akuzë që ka rënë dy herë në Gjykatën Ndërkombëtare për Krime Lufte në ish-Jugosllavi. Në rastin Limaj dhe në rastin Haradinaj, një akuzë e tillë e Prokurorisë ka rënë, ndërkohë që është “vërtetuar”, në thonjëza, nga një gjykatë e cila është themeluar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës. Ky është vetëm një nga deformimet e shumta, të panumërta, që e kanë përcjellë të gjithë këtë proces. Ne nuk po kërkojmë t’i shmangemi drejtësisë. Përkundrazi, po synojmë që procesin ta kthejmë në binarë të drejtë. Ne jemi të hapur për bashkëbisedim me të gjithë aleatët dhe partnerët tanë ndërkombëtarë, sepse, në fund të ditës, kriminalizimi i luftës çlirimtare kriminalizon edhe ndërhyrjen ndërkombëtare në Kosovë gjatë vitit 1999”, u shpreh ajo.

Sa i përket qëndrimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, e cila kishte shprehur kundërshtime ndaj ligjit gjatë votimit në Kuvend, Çitaku ka thënë se qëndrimi i kësaj partie kishte qenë i ndarë, por ka vlerësuar mbështetjen e saj për deklaratën politike dhe pjesëmarrjen në grupin strategjik.

“Është e vërtetë që LDK-ja ka pasur një qëndrim të ndarë sa i përket ligjit, por nuk duhet të harrojmë që Lidhja Demokratike e Kosovës e ka mbështetur deklaratën politike që i ka paraprirë ligjit dhe ai ka qenë vendimi i parë politik që kemi marrë në Kuvendin e Republikës së Kosovës pas aktgjykimit të padrejtë në Hagë. Sikurse janë të vërteta dhe për t’u përshëndetur edhe pjesëmarrja dhe kontributi që Lidhja Demokratike e Kosovës po jep në grupin strategjik. Kjo nuk është betejë partiake, kjo është betejë shtetërore dhe, fatmirësisht, e kemi gjetur si shoqëri dhe si klasë politike një emërues të përbashkët. Një vlerë që na bashkon, e ajo është Ushtria Çlirimtare e Kosovës”, shtoi Çitaku.

Ndryshe, Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, më 22 tetor ka vendosur ta kthejë në Kuvend për rishqyrtim Ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Sipas arsyetimit të vendimit, presidentja ka pranuar gjatë ditës së sotme propozimin zyrtar të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), si sponsorizues i ligjit, për t’i dhënë Kuvendit mundësinë që ta rishqyrtojë atë. Rishqyrtimi përqendrohet veçanërisht në dispozitat që lidhen me juridiksionin dhe mandatin e Dhomave të Specializuara, si dhe në garantimin e plotë të të drejtave kushtetuese të personave që po gjykohen pranë këtyre Dhomave.

Në arsyetimin e vendimit, presidentja Shiroka Pula ka theksuar sakrificën, angazhimin dhe kontributin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe të krerëve të saj në luftën për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Ajo ka rikujtuar gjithashtu mbështetjen e saj për Deklaratën e Kuvendit të Kosovës të 28 shtatorit 2026, lidhur me aktgjykimin e Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

Burimi: Dukagjini

Lexo edhe

Rubio ngriti alarmin për lidhjen e shefit të Nvidia me një “spiune”

Rubio ngriti alarmin për lidhjen e shefit të Nvidia me një “spiune”

Projekti “Ulpiana 2030 Legacy” nxit reagime, kundërshtohet ndërtimi në një nga lagjet ikonike të Prishtinës

Projekti “Ulpiana 2030 Legacy” nxit reagime, kundërshtohet ndërtimi në një nga lagjet ikonike të Prishtinës

Konfirmohen gjithsej 299 raste me fruth, prej të cilave 30 janë regjistruar gjatë javës së fundit

Konfirmohen gjithsej 299 raste me fruth, prej të cilave 30 janë regjistruar gjatë javës së fundit