Një incident i rëndë dyshohet se ka ndodhur gjatë ditës së sotme në ambientet e Ministrisë së Ekonomisë, ku djali i ish-deputetes së Kuvendit të Kosovës, Donika Kadaj-Bujupi, dyshohet se është kërcënuar me armë nga një zyrtar i kësaj ministrie.

Gazeta Sinjali ka mësuar se personi i dyshuar është Sami Shaqiri, zyrtar në Ministrinë e Ekonomisë, i cili pas incidentit është arrestuar nga Policia.
Arrestimin e të dyshuarit për Gazetën Sinjali e ka konfirmuar ish-deputetja Donika Kadaj-Bujupi.
Sipas informacioneve të Sinjalit, incidenti dyshohet se ka ndodhur pas një mosmarrëveshjeje lidhur me një komision disiplinor.
Mosmarrëveshja thuhet se kishte nisur pasi djali i ish-deputetes kishte refuzuar të merrte pjesë në komision, me arsyetimin se ishte epror i Shaqirit.
Para incidentit, Shaqiri dyshohet se i kishte kërkuar përmes postës elektronike plotësimin e një formulari, ndërsa Bujupi i ishte përgjigjur që formularin ta plotësonte vetë dhe më pas t’ia sillte për nënshkrim.
Situata dyshohet se ka eskaluar kur Shaqiri e ka ndjekur Bujupin deri në tualetin e ministrisë, ku dyshohet se e ka kërcënuar me armë.
Pas ngjarjes, Shaqiri është arrestuar nga Policia e Kosovës.
Burimi: Sinjali




