Udhëheqësi i demokratëve në Senatin amerikan, Chuck Schumer, ka zgjedhur një mënyrë mjaft provokuese dhe me dozë të fortë humori për të festuar fitoren e partisë së tij në zgjedhjet për Kongresin amerikan.

Në rrjetet sociale, Schumer ka publikuar një fotografi nga një pjekje në skarë, ku mbi hamburgerët dhe salsiçet shihen të stampuara fytyrat e presidentit Donald Trump, zëvendëspresidentit JD Vance, si dhe politikanëve të tjerë republikanë që pësuan humbje në këto zgjedhje.
Ndër to bie në sy figura e JD Vance me kokë të rruar e faqe të fryra — një imazh që prej kohësh është kthyer në një ndër ‘memet’ më të popullarizuara në internet.
“54 vende dhe vazhdojmë të numërojmë. Gjithashtu, mësova të përdor skarën… Këta hamburgerë dhe salsiçe janë pjekur plotësisht”, ka shkruar me ironi Schumer krahas fotografisë.
Me këtë postim, senatori demokrat nuk goditi vetëm kundërshtarët e tij politikë, por i bëri edhe një ‘rebalancë’ vetvetes. Publikimi shërbeu si një kundërpërgjigje ndaj talljeve të shumta që kishte marrë në qershor të vitit 2024, kur për Ditën e Baballarëve kishte postuar një foto duke vendosur djathë mbi një hamburger krejtësisht të papjekur — foto të cilën u detyrua ta fshinte pas reagimeve virale.
Demokratët marrin kontrollin e Senatit
Nga janari i vitit të ardhshëm, Schumer pritet të marrë sërish timonin e udhëheqësit të shumicës në Senat.
Sipas rezultateve të deritanishme, demokratët kanë siguruar të paktën 54 vende në Senat, ndërsa numërimi po vazhdon për ulëset e fundit në Alaskë dhe Misisipi. Republikanët kanë pësuar goditje të rëndë duke humbur edhe shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve.
Mes emrave të njohur të senatorëve republikanë që nuk arritën të mbronin mandatin e tyre janë Susan Collins (Maine), Roger Marshall (Kansas) dhe Jon Husted (Ohio).
54 seats and counting.
And I learned how to grill…these burgers and dogs are fully cooked. https://t.co/45aKNZzjzy— Chuck Schumer (@SenSchumer) November 4, 2026
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
/GazetaSinjali/
Burimi: Sinjali




