Gjykata e Apelit ka vërtetuar dënimin prej 25 vjetësh burgim ndaj Valmir Salihut për vrasje të rëndë dhe armëmbajtje pa leje, si dhe dënimin prej tetë vjetësh ndaj Florian Mitevit për ndihmën që ia dha pas krimit për t’u fshehur.

Me aktgjykimin e marrë më 30 prill 2026, Apeli ka refuzuar si të pabazuara ankesat e Prokurorisë Themelore në Gjilan dhe të mbrojtjes së të dy të dënuarve, duke lënë në fuqi vendimin e Themelores të 24 dhjetorit 2025, raporton Gazeta Sinjali.
Sipas fakteve të vërtetuara nga gjykata, vrasja ndodhi më 7 nëntor 2024, rreth orës 14:00, në parkingun e objektit banesor “Gëzimi 3”, në rrugën “Mërgimtarët e Gjilanit”, përballë lokalit “Donisi”.
Salihu, i cili kishte mbërritur me biçikletë bashkë me Mitevin, e kishte parë viktimën S.O. duke hyrë në veturë. Ai kishte zbritur nga biçikleta, kishte bërë gati armën dhe ishte afruar, duke e qëlluar nga afërsia me një predhë në pjesën e pasme të trupit, në zonën e komblikut.
Pasi viktima ishte rrëzuar, Salihu e kishte goditur edhe dy herë me grushte dhe një herë me shqelm. Më pas, të dy ishin larguar nga vendi i ngjarjes, ndërsa 33-vjeçari kishte ndërruar jetë.
Apeli ka mbështetur përfundimin se vrasja ishte kryer nga hakmarrja e paskrupullt, pas një konflikti fizik mes Salihut dhe viktimës në një aheng familjar më 27 korrik 2023.
Sipas gjykatës, privimi nga jeta ishte haptazi në shpërpjesëtim me goditjet që Salihu kishte pësuar në konfliktin e mëparshëm. Në aktgjykim përshkruhen edhe kërcënime që ai kishte përcjellë ndaj viktimës përmes personave të tretë.
Mbrojtja e Salihut kishte kërkuar rigjykim ose ndryshim të cilësimit juridik në lëndim të rëndë trupor me pasojë vdekjen apo vrasje të rëndomtë. Apeli i ka refuzuar këto kërkesa, duke vlerësuar se provat, përfshirë pamjet nga vendi i ngjarjes, mbështesin përfundimin për vrasje të rëndë.
Për këtë vepër, Salihut i ishin caktuar 24 vjet burgim, ndërsa për armëmbajtje pa leje dy vjet. Dënimi unik i vërtetuar nga Apeli është 25 vjet burgim.
Ndërkaq, për Florian Mitevin, gjykata ka konstatuar se kishte ndihmuar Salihun të fshihej nga 7 deri më 12 nëntor 2024, duke paguar transportin me taksi dhe duke siguruar ushqim gjatë qëndrimit të tyre në mal, në zonën e Livoqit të Ulët.
Të dy ishin dorëzuar në Polici më 12 nëntor 2024.
Mbrojtja e Mitevit kishte kërkuar që veprimet e tij të cilësoheshin si moslajmërim i veprës penale apo kryerësit. Por Apeli ka vlerësuar se ai kishte ndërmarrë veprime konkrete për të mundësuar fshehjen e Salihut dhe shmangien e arrestimit.
Prokuroria, në anën tjetër, kishte kërkuar dënime më të larta për të dy. Në arsyetim evidentohen 13 dënime të mëparshme ndaj Salihut dhe 11 ndaj Mitevit.
Apeli ka konstatuar edhe gabime në matjen e dënimit nga shkalla e parë: dashja direkte dhe masat disiplinore gjatë paraburgimit ishin trajtuar gabimisht si rrethana rënduese. Megjithatë, kolegji ka vlerësuar se këto nuk kishin ndikuar në mënyrë vendimtare në lartësinë e dënimeve, të cilat i ka lënë në fuqi.
Koha e kaluar në paraburgim nga 12 nëntori 2024 do t’u llogaritet në dënimet e shqiptuara.
Shënim: Personat e përmendur në këtë lajm konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali




