Ish-deputeti Milaim Zeka ka dalë sot para Gjykatës së Apelit për të kundërshtuar aktgjykimin me të cilin u dënua për shmangie nga tatimi.

Gjatë seancës, Zeka ka drejtuar kritika ndaj prokurorit të rastit, duke deklaruar se ai do të duhej të ishte në burg.
Zeka ka ngritur edhe pretendime për mënyrën se si një hetues i ishte drejtuar një dëshmitari. Sipas tij, hetuesi kishte përdorur një shprehje me përmbajtje seksuale. Këto pretendime ai i ka paraqitur gjatë kundërshtimit të vendimit të shkallës së parë.
Në adresimin para trupit gjykues, Zeka ka komentuar edhe kushtet e punës së gjyqtarëve.
“S’ju marr kohë, se po e shoh n’farë kushte të rënda po punojshi”, është shprehur ai.
Gjykata Themelore në Prishtinë, më 20 maj 2026, në rigjykim e kishte dënuar Zekën me një vit burgim me kusht dhe 3 mijë euro gjobë. Sipas aktgjykimit, dënimi me burgim nuk ekzekutohet nëse ai gjatë periudhës verifikuese prej dy vjetësh nuk kryen vepër tjetër penale.
Zeka ishte obliguar gjithashtu t’ia kompensonte dëmin Administratës Tatimore të Kosovës. Shuma e shpallur fillimisht prej 81 mijë eurosh u korrigjua me aktvendim në 67 mijë e 609 euro e 71 centë, për shkak të një gabimi teknik.
Për një pikë tjetër të aktakuzës për shmangie nga tatimi, që përfshinte Zekën dhe Ilir Krasniqin, gjykata kishte marrë aktgjykim refuzues pas tërheqjes së prokurorit nga ajo pikë.
Shënim. Deklaratat për prokurorin dhe hetuesin përfaqësojnë pretendimet e Milaim Zekës. Aktgjykimi dënues është objekt shqyrtimi në Gjykatën e Apelit.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali





