LEX | Kërkoi transferim në Prishtinë për shkak të gjendjes shëndetësore të fëmijës – Ministria e Drejtësisë ia refuzoi kërkesën noteres nga Podujeva, rasti përfundoi në Kushtetuese

LEX | Kërkoi transferim në Prishtinë për shkak të gjendjes shëndetësore të fëmijës – Ministria e Drejtësisë ia refuzoi kërkesën noteres nga Podujeva, rasti përfundoi në Kushtetuese

LEX | Kërkoi transferim në Prishtinë për shkak të gjendjes shëndetësore të fëmijës – Ministria e Drejtësisë ia refuzoi kërkesën noteres nga Podujeva, rasti përfundoi në Kushtetuese

Një notere nga Podujeva, e cila kërkoi të transferohej në Prishtinë për shkak të nevojave shëndetësore të fëmijës së saj, nuk ka arritur ta sigurojë transferimin përmes Ministrisë së Drejtësisë. Pas refuzimit, ajo iu drejtua gjykatave të rregullta dhe më pas Gjykatës Kushtetuese, e cila e shpalli kërkesën e saj të papranueshme.

Sponsor 3M Express

Gazeta Sinjali raporton se bëhet fjalë për rastin KI242/25, ku parashtruesja, e identifikuar nga Gjykata Kushtetuese me inicialet Saranda Rexhepi, kishte kontestuar vendimin nr. 191/25, të datës 14 prill 2025, të Ministrisë së Drejtësisë.

Noterja kishte kërkuar transferimin nga Podujeva në Prishtinë ose emërimin në njërën nga pozitat e lira për noterë në kryeqytet.

Sipas pretendimeve të saj, kërkesa ishte bërë për shkak të rrethanave të veçanta familjare, pasi fëmija i saj kishte nevojë për terapi të specializuara, të cilat, sipas saj, ishin të qasshme vetëm në Prishtinë.

Ajo kishte theksuar se ishte kujdestarja e vetme primare e fëmijës dhe se transferimi do t’ia lehtësonte përmbushjen e përgjegjësive familjare.

Ministria e Drejtësisë ia refuzoi kërkesën

Ministria e Drejtësisë fillimisht kishte refuzuar kërkesën për transferim territorial, ndërsa më pas kishte refuzuar edhe aplikimin e noteres në konkursin publik për pozitat e lira në Prishtinë.

Arsyetimi i Ministrisë ishte se legjislacioni në fuqi për noterinë nuk parasheh procedurë për transferim apo riaplikim të personave që tashmë ushtrojnë detyrën e noterit.

E pakënaqur me këtë vendim, noterja kishte ngritur padi në konflikt administrativ në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Ajo kishte kërkuar gjithashtu shtyrjen e ekzekutimit të vendimeve për emërimin e kandidatëve të tjerë në pozitat e lira.

Megjithatë, Gjykata Themelore kishte refuzuar kërkesën për shtyrje, ndërsa vendimi ishte vërtetuar edhe nga Gjykata e Apelit.

Noterja pretendoi diskriminim dhe shkelje të të drejtave kushtetuese

Pas këtyre zhvillimeve, noterja iu drejtua Gjykatës Kushtetuese, duke pretenduar shkelje të të drejtave të garantuara me Kushtetutë dhe Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Ajo pretendoi se vendimi i Ministrisë së Drejtësisë ishte arbitrar, i paarsyetuar mjaftueshëm dhe se nuk ishte marrë parasysh interesi më i mirë i fëmijës.

Parashtruesja kërkoi gjithashtu që, për shkak të rrethanave të jashtëzakonshme familjare dhe nevojave shëndetësore të fëmijës, të përjashtohej nga detyrimi për shterimin e mjeteve të rregullta juridike.

Kushtetuesja e shpalli kërkesën të parakohshme

Gjykata Kushtetuese konstatoi se procedura lidhur me padinë kryesore ishte ende duke u zhvilluar në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Sipas Kushtetueses, refuzimi i kërkesës për masë të përkohshme dhe kohëzgjatja e procedurave nuk dëshmojnë se mjetet e rregullta juridike janë joefektive.

Për këtë arsye, Gjykata vlerësoi se kërkesa ishte e parakohshme, pasi nuk ishin shteruar mjetet juridike.

Si rrjedhojë, kërkesa u shpall e papranueshme, ndërsa kërkesa për masë të përkohshme u refuzua si pa objekt shqyrtimi.

Gjykata Kushtetuese nuk vendosi nëse refuzimi i Ministrisë së Drejtësisë ishte i ligjshëm apo nëse noteres i ishin shkelur të drejtat kushtetuese, pasi çështja kryesore mbetet në shqyrtim para gjykatave të rregullta.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

Burimi: Sinjali

Lexo edhe

Trump shqyrton mundësinë e një sulmi të ri ndaj Iranit, merr informacione nga ushtria amerikane

Trump shqyrton mundësinë e një sulmi të ri ndaj Iranit, merr informacione nga ushtria amerikane

Kushtetuesja konstaton shkelje të së drejtës në rastin e një kontesti me AKP-në

Kushtetuesja konstaton shkelje të së drejtës në rastin e një kontesti me AKP-në

Drafti për zgjerimin e BE-së: Kosova pa përparim në fushat themelore, Mali i Zi drejt përfundimit të negociatave

Drafti për zgjerimin e BE-së: Kosova pa përparim në fushat themelore, Mali i Zi drejt përfundimit të negociatave