Dukagjin Lekaj, i njohur edhe si Dukagjin Nikollaj, është deklaruar i pafajshëm për veprën penale “Vrasje e rëndë në tentativë”, ndërsa ka pranuar fajësinë për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll apo posedim të paautorizuar të armëve”.

Këtë deklarim Lekaj e ka bërë sot, më 6 nëntor 2026, gjatë seancës fillestare të mbajtur në Gjykatën Themelore në Prishtinë, raporton Gazeta Sinjali.
Lekaj po përballet me akuzat e Prokurorisë Themelore në Prishtinë lidhur me ngjarjen e rëndë të 4 gushtit 2023 në lokalin “Bon Vivant”, ku nga të shtënat me armë zjarri kishte mbetur i vdekur një person.
Sipas aktakuzës së ngritur më 29 tetor 2026, Dukagjin Lekaj akuzohet se kishte tentuar ta privonte nga jeta Andi Pajazitin, i njohur me nofkën “Italiani”.
Çfarë thotë aktakuza?
Sipas Prokurorisë, më 4 gusht 2023, rreth orës 23:10, Lekaj ndodhej në lokalin “Bon Vivant” së bashku me K.R., tashmë të ndjerë, kur aty kishte arritur edhe Andi Pajaziti.
Në aktakuzë pretendohet se, pasi e kishte parë Pajazitin, Lekaj kishte marrë çantën ku mbante armën dhe e kishte ftuar atë t’i afrohej tavolinës.
Pasi Pajaziti nuk i ishte përgjigjur ftesës, sipas Prokurorisë, Lekaj kishte shkuar dhe e kishte marrë atë te tavolina e tij, ku më pas kishte filluar një bisedë që ishte shndërruar në situatë të tensionuar.
Në një moment, sipas aktakuzës, Hisni Gecaj kishte ndërhyrë për ta qetësuar situatën, duke ia mbajtur dorën e djathtë Lekajt, ndërsa K.R. dyshohet se e kishte goditur Pajazitin nga prapa me shishe.
Prokuroria pretendon se Lekaj kishte nxjerrë armën nga çanta dhe e kishte drejtuar drejt Pajazitit, por Gecaj ia kishte mbajtur dorën, duke penguar veprimin e tij.
Tutje, sipas aktakuzës, pasi Pajaziti ishte larguar nga lokali, Lekaj i ishte vënë pas me qëllim që ta privonte nga jeta, por nuk kishte arritur ta realizonte qëllimin, pasi Pajaziti ishte larguar.
Për këto veprime, Prokuroria e ngarkon Lekajn me veprën penale “Vrasje e rëndë në tentativë”, nga neni 173, paragrafi 1, nënparagrafi 1.5, lidhur me nenin 28 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Ai akuzohet gjithashtu për armëmbajtje pa leje, vepër për të cilën gjatë seancës së sotme ka pranuar fajësinë.
Arrestimi në Spanjë dhe historiku i rastit
Dukagjin Lekaj ishte arrestuar në Spanjë në prill të vitit 2025, pas kërkimit nga autoritetet kosovare lidhur me rastin “Bon Vivant”.
Në lidhje me të njëjtën ngjarje, më herët ishte zhvilluar proces gjyqësor edhe ndaj Andi Pajazitit, i cili ishte liruar nga akuza për vrasje në gjendje të tronditjes së fortë mendore, ndërsa ishte dënuar me dy vjet burgim për armëmbajtje pa leje.
Ky vendim ishte vërtetuar edhe nga Gjykata e Apelit.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm për akuzat përkatëse, përveç nëse fajësia e tyre vërtetohet me vendim gjyqësor të formës së prerë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali




