Në Gjykatën Themelore në Prishtinë po vazhdon gjykimi ndaj Momir Pantiqit dhe Zharko Zariqit, të akuzuar për krime lufte kundër popullatës civile shqiptare në komunën e Istogut gjatë viteve 1998–1999.

Në seancën e sotme, i akuzuari Momir Pantiq ka marrë në pyetje dëshmitarin e Prokurorisë, duke i parashtruar pyetje lidhur me ngjarjet e luftës dhe rrethanat për të cilat akuzohet.
Para se të fillonte marrjen në pyetje, Pantiq testoi mikrofonin dhe përgatiti shënimet në një fletore, të cilën e kishte para vetes gjatë parashtrimit të pyetjeve.
Çfarë përmban aktakuza?
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, Pantiq, në cilësinë e ish-shefit të Stacionit Policor në Istog, dhe Zariq, si ish-pjesëtar i policisë, akuzohen për krime lufte kundër popullatës civile shqiptare.
Prokuroria pretendon se ata, në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të forcave policore serbe, kanë marrë pjesë në vrasje, torturë, trajtim çnjerëzor, dëbim masiv, plaçkitje dhe shkatërrim të pronës së civilëve shqiptarë.
Në aktakuzë përshkruhen operacione policore në disa fshatra të Istogut, përfshirë Lubozhdën, Shushicën, Vrellën, Vreniqin, Cerrcën dhe Studenicën.
Sipas Prokurorisë, si pasojë e këtyre veprimeve në komunën e Istogut janë vrarë 260 persona, përfshirë 19 fëmijë, ndërsa janë djegur rreth 5 mijë shtëpi.
Momir Pantiq u arrestua në gusht të vitit 2023 në pikën kufitare në Merdar, ndërsa Zharko Zariq një ditë më vonë në fshatin Lubozhdë të Istogut.
Të dy të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm për veprat që u vihen në barrë.
Gjykimi po vazhdon me administrimin e provave dhe dëgjimin e dëshmitarëve të Prokurorisë.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali




