Lehkosuo është prezantuar si trajer i i ri të premten, më 20 nëntor, ndërsa të hënën, më 23 nëntor, e ka mbajtur konferencën e parë për media.
Pesëdhjetë e gjashtëvjeçari vjen në këtë pozitë nga Përfaqësuesja U-21 e Finlandës, të cilën e kualifikoi në Kampionatin Evropian të vitit të ardhshëm. Ai zë vendin e Jacob Friis, i cili u shkarkua pas paraqitjeve të dobëta të Finlandës në Ligën e Kombeve.

Trajneri i ri ka nisur tashmë punën për ndërtimin e stafit të tij dhe kontaktet me futbollistët.
“Puna tashmë ka filluar”, ka thënë Lehkosuo, duke treguar se ka biseduar me rreth gjysmën e lojtarëve dhe se gjatë fundjavës ka zhvilluar telefonata të gjata edhe me kapitenët e Përfaqësueses.
Ai nuk e fshehu synimin për ta rikthyer Finlandën në një turne të madh ndërkombëtar, duke e cilësuar si të pakuptimtë të mendohet për një objektiv tjetër.
“Nuk është diçka që ndodh çdo ditë, por është e pakuptimtë të mendosh për ndonjë objektiv tjetër. Pasi ta arrish një herë, besoj se mund ta arrish përsëri”, ka deklaruar trajneri finlandez.
Lehkosuo synon gjithashtu që një ditë ta udhëheqë Finlandën drejt kualifikimit historik në Kupën e Botës.
“Do të doja të isha pjesë e një arritjeje të tillë historike, por koha do ta tregojë se kur mund të ndodhë kjo”, ka thënë ai.
Federata e Futbollit e Finlandës i ka ofruar trajnerit kontratë pesëvjeçare, gjë që sipas tij dëshmon besimin e institucionit në projektin e tij afatgjatë.
Megjithatë, Lehkosuo ka theksuar se për të më e rëndësishmja mbetet ndeshja e radhës.
“Më është propozuar drejtpërdrejt kohëzgjatja e kontratës. Kjo tregon se kanë besim tek unë dhe se duan ta çojnë përpara këtë proces me një plan afatgjatë. Megjithatë, mentaliteti im është gjithmonë që duhet fituar ndeshja e radhës, e jo të mendohet aq shumë për atë që do të ndodhë pas pesë vjetësh”, ka thënë Lehkosuo.
Burimi: RTKLive





