Procedurat për konvertimin e patentë-shoferëve të Kosovës në Itali do të lehtësohen nga 1 janari 2027, pas përditësimit të marrëveshjes për njohjen reciproke dhe konvertimin e lejeve të drejtimit ndërmjet dy shteteve.

Lajmi është bërë i ditur nga Ambasada e Kosovës në Romë dhe Konsullata e Përgjithshme në Milano, të cilat kanë njoftuar se Kosova dhe Italia kanë përmbyllur procedurat për përditësimin e kësaj marrëveshjeje.
Përmes këtij përditësimi, në marrëveshje përfshihet edhe modeli i ri i patentë-shoferit të Kosovës, i cili është në përdorim që nga viti 2024.
Ndryshimet do të hyjnë në fuqi më 1 janar 2027 dhe pritet t’ua lehtësojnë procedurat qytetarëve të Kosovës që jetojnë në Itali dhe dëshirojnë të konvertojnë patentë-shoferët e tyre.
Sipas njoftimit të përfaqësive diplomatike, ky zhvillim synon të forcojë bashkëpunimin ndërmjet Kosovës dhe Italisë, si dhe të përmirësojë shërbimet për qytetarët kosovarë që jetojnë në këtë shtet.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali





