Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) arrestoi të martën një zyrtar policor të Stacionit Policor në Ferizaj, i dyshuar për organizim të bixhozit të paligjshëm dhe vepra të tjera penale.

Sinjali raporton se polici i arrestuar është Leon Ramadani. Ai dyshohet se gjatë vitit 2026, jashtë orarit të punës, ka organizuar bixhoz të paligjshëm online dhe skema piramidale.
IPK-ja dyshon gjithashtu se ai ka pasur në posedim një armë të gjatë të tipit Kallashnikov, të cilën më pas ia ka shitur një personi tjetër. Me vendim të prokurorit, atij i është caktuar ndalim prej 48 orësh.
Gjatë hetimeve u bastisën shtatë lokacione. Aty u sekuestruan dy revole, një armë gjahu, dy thika dhe municion i llojeve të ndryshme. Si të dyshuar për shitblerje armësh u intervistuan edhe gjashtë qytetarë. Hetimet ndaj tyre vazhdojnë në procedurë të rregullt.
IPK-ja i ka rekomanduar Policisë së Kosovës që ta suspendojë zyrtarin.
Burimi: Insajderi





