Dy shtetas shqiptarë janë lënë në paraburgim, pasi akuzohen për hyrje me forcë dhe vjedhje në pronën e Princit William dhe bashkëshortes së tij, Kate Middleton, në Norfolk të Anglisë.

Në mediat britanike është publikuar fotografia e parë e njërit prej të dyshuarve, të cilët dyshohet se kanë hyrë në pronën e njohur si Anmer Hall, në orët e mbrëmjes së së hënës, transmeton Klankosova.tv.
Sipas raportimeve, dy personat dyshohet se kanë hyrë në pronë duke u ngjitur në një gyp kullues, pak para orës 18:00.
Policia dhe njësitë e specializuara kanë dalë në vendin e ngjarjes, ndërsa dy të dyshuarit janë arrestuar në afërsi të pronës.
Bëhet fjalë për Mirgen Dokun, 34 vjeç, nga Courtfield Gardens në Londër, dhe Arilen Ndocin, 32 vjeç, pa adresë të përhershme.
Të dy janë akuzuar për vjedhje dhe hyrje të paautorizuar në pronë. Ata kanë dalë para Gjykatës së Magjistratëve në Norwich, ku u janë lexuar akuzat përmes një përkthyesi.
Sipas aktakuzës, dyshja dyshohet se kanë hyrë pa autorizim në një pronë të mbrojtur, konkretisht në Anmer Hall, dhe kanë vjedhur gjashtë palë mansheta dhe një orë.
Prokuroria gjithashtu ka përmendur dëmtimin e një dritareje të jashtme gjatë incidentit të dyshuar.
Për kërkimet në zonë, policia kishte angazhuar qen gjurmues, dronë dhe helikopterin e Shërbimit Ajror Kombëtar të Policisë britanike.
Të dy të akuzuarit janë lënë në paraburgim pas seancës gjyqësore.
Në momentin e incidentit, Princi William, Kate Middleton dhe tre fëmijët e tyre nuk ndodheshin në pronë./Klankosova.tv






